Kuvendi i Komunës së Klinës ka mbajtur sot seancën e X-të të rregullt, të udhëhequr nga kryesuesi Enver Berisha. Në hapje të seancës, kryesuesi Berisha ka përcjellë urimet me rastin e festave të Nëntorit, ndërsa më pas është shqyrtuar rendi i ditës dhe propozimet për plotësimin e tij.
Në rendin e ditës janë përfshirë çështja e sigurimit të mjeteve buxhetore për renovimin e dy ashensorëve në objektet banesore “Mirusha” dhe “Rafi”, si dhe zëvendësimi i përfaqësueses së Zyrës për Barazi Gjinore në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), pas daljes së zyrtares së deritanishme në pension.
Ndërkaq, pika që lidhej me bashkëpunimin ndërmjet komunave të rajonit është tërhequr nga rendi i ditës dhe është lënë për një seancë të ardhshme.
Prezantimi i Rregullores së Punës së Kuvendit, si dhe shqyrtimi i Planit Lokal të Veprimit në Mjedis 2026–2030 dhe çështjet që lidhen me menaxhimin e mbeturinave, janë shtyrë për seancën e radhës, për shkak të mungesës së drejtorit të Shërbimeve Publike.
Seanca ka vazhduar me shqyrtimin e pikave të tjera të rendit të ditës.