Nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, dhe nënkryetarit të Komunës, Fadil Gashi, u mbajt sot mbledhja e radhës e Komitetit për Siguri në Bashkësi (KKSB), në të cilën u diskutuan çështje me rëndësi që lidhen me sigurinë publike, arsimin dhe përgatitjet për sezonin veror.
Në mbledhje morën pjesë anëtarët e KKSB-Së, përfaqësues të Policisë së Kosovës, drejtorive komunale dhe institucioneve të tjera relevante, si dhe përgjegjësi i Njësisë së Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Klinë, Rasim Elezaj.
Fillimisht u miratua procesverbali nga mbledhja e kaluar. Më pas u diskutua për aktivitetet e organizuara nga Drejtoria e Arsimit për maturantët, përmbylljen e vitit shkollor dhe nivelin e sigurisë në institucionet arsimore.
Komandanti i Stacionit Policor në Klinë ,Enis Lluka, prezantoi raportin gjashtëmujor të gjendjes së sigurisë në territorin e Komunës së Klinës, duke shpalosur statistikat për periudhën janar–qershor 2026, aktivitetet policore të realizuara dhe rastet e trajtuara, si dhe vlerësoi se situata e sigurisë në Komunën e Klinës vazhdon të jetë e qetë dhe stabile. Po ashtu, prezantoi planin operativ për sezonin e ardhjes së mërgimtarëve dhe organizimit të dasmave.Në kuadër të përgatitjeve për sezonin veror, u diskutua për masat parandaluese dhe vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtje nga zjarret. Me këtë rast, përgjegjësi i Njësisë së Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Rasim Elezaj, prezantoi masat dhe aktivitetet e planifikuara për parandalimin dhe menaxhimin e rasteve të zjarreve gjatë sezonit veror.
Ndërsa, Drejtoria e Inspektoratit informoi lidhur me objektet e braktisura dhe objektet e vjetra që paraqesin rrezik për sigurinë publike, si dhe për vendosjen e sinjalistikës në vendkalimet hekurudhore.
Në fund të mbledhjes u trajtuan edhe çështje të ndryshme me interes për komunitetin, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për ruajtjen e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.