Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, Komuna e Klinës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, organizoi sot edicionin e XI-të të ekspozitës tradicionale “Çmimi Art Klina”, në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë.
Në ceremoninë e hapjes, të pranishmëve iu drejtuan Kryetari i Komunës së Klinës, prof. dr. Zenun Elezaj, dhe drejtori i DKRS-së, Lorenc Marku.
Për historikun, rëndësinë dhe vazhdimësinë e kësaj ekspozite foli ideatori i “Art Klinës”, piktori Idriz Berisha – Xhixhi, duke vënë në pah rëndësinë e promovimit dhe mbështetjes së artit pamor.
Në ekspozitë morën pjesë artistë të afirmuar nga Klina, Peja, Prishtina, Mitrovica, Malisheva, Deçani, Istogu, Drenasi dhe qytete të tjera, si dhe intelektualë e personalitete nga fusha të ndryshme të jetës kulturore dhe shoqërore.
Një nga momentet më të veçanta të ceremonisë ishte interpretimi i këngës epike “Trim mbi trima, ti Gjergj Kastrioti”, nga solistja Valëza Gashi, i cili u prit me emocione dhe duartrokitje nga të pranishmit.
Pas vlerësimit të punimeve artistike, juria profesionale, e përbërë nga Gani Lajqi nga Peja, Agim Bujupi nga Drenasi dhe Avni Rexhepaj nga Klina, ndau tri çmimet e këtij edicioni:
- Çmimi “Art Klina” iu nda piktores polake Katarzyna Mazgaj. Çmimin ia dorëzoi Kryetari i Komunës së Klinës, prof. dr. Zenun Elezaj.
- Vendi i dytë iu nda Vullnet Begollit nga Peja. Çmimin ia dorëzoi drejtori i DKRS-së, Lorenc Marku.
- Vendi i tretë iu nda skulptorit Selam Kastrati nga Malisheva. Çmimin ia dorëzoi Avdyl Gashi, udhëheqës i Sektorit të Kulturës.
Aktiviteti u moderua nga Alban Gashi.
Ekspozita “Çmimi Art Klina”, tashmë një traditë e rëndësishme kulturore në komunën tonë, vazhdon të krijojë hapësirë për prezantimin, vlerësimin dhe promovimin e krijimtarisë artistike.