Kryetari Bashota u uroi festën e tyre mësimdhënësve dhe nxënësve si dhe falënderoi arsimtarët e pensionuar për kontributin e çmueshëm që dhanë në edukimin e brezave të rinj dhe në zhvillimet e shkollës shqipe.
Kryetari Bashota theksoi rëndësinë e madhe që ka data e 7 marsit 1887, kur u hap shkolla e parë shqipe në qytetin e Korçës. Ai ka përgëzuar nxënësit e dalluar të shkollave të Komunës së Klinës, të cilëve ua ka ofruar si gjithmonë përkrahjen dhe mbështetjen institucionale të Kryetarit të Komunës dhe të qeverisë së pushtetit lokal për avancimin e mëtutjeshëm të arsimit në Komunën e Klinës. Duke përmendur zhvillimet e përgjithshme në arsim si dhe potencialet e mëdha që kanë për dije të rinjtë tanë, Kryetari Bashota tha se sot nëpër Europë dhe nëpër botë, nëpër institucione të ndryshme japin kontributin e tyre shumë kuadro nga shteti i Kosovës, të cilët kanë shkuar atje jo për të nxënë dije, por për të dhënë. Dhënien e mirënjohjeve dhe dhuratave për nder të kësaj feste e filloi Kryetari Bashota, i cili ia dha mirënjohjen e parë znj. Seniha Marku, profesoreshë e pensionuar dhe nxënëses Fjolla Dedaj, e cila doli e para ndër klasa të nënta në Kosovë në Olimpiadën e sivjetme Matematike të Kosovës. Drejtori i DKA-së, Hajdin Morina, foli për historikun e Ditës së Mësuesit dhe për historikun e zhvillimit të arsimit shqip në Komunën e Klinës, duke falënderuar dhe përkujtuar të gjithë mësuesit dhe qytetarët e vullnetit të mire që dhanë mund e sakrificë për shkollën shqipe nëpër periudha të ndryshme të historisë së saj. Morina vazhdoi dhënien e mirënjohjeve dhe të dhuratave për mësuesit e pensionuar dhe për nxënësit e dalluar në mësime dhe në aktivitete jashtëkurrikulare. Mësuesve të pensionuar nga një mirënjohje dhe orë dore, në emër të Degës së SBASHK-ut në Klinë, iu dha kryetari i kësaj Dege.