Komuna e Klinës ka mbajtur dëgjimin e gjashtë buxhetor për Draft-Buxhetin e vitit 2025 në fshatin Zllakuqan, me banorët e fshatrave Budisalc, Zllakuqan, Ranoc, Leskoc, Nagllavë, Dranashiq, Stupë, Rudicë, Videjë, Jagodë, Bërkovë dhe Krushevë e Madhe. Ky takim është mbajtur në ambientet e shkollës së mesme të ulët “Atë Shtjefën Gjeçovi”, me fillim nga ora 19:00, ku morën pjesë 24 persona.
Si prioritet i banorëve pjesëmarrës u rekomandua rregullimi i kanalit të ujitjes, ndërtimi i degëzimeve të reja të kanaleve të ujitjes, si dhe ndërtimi i urës.
Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i cili ishte i pranishëm me bashkëpunëtorët e tij, drejtorin e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, z. Enver Berisha, dhe drejtorin e Financave, z. Enver Berisha, si dhe anëtarë të grupit punues, gjatë diskutimit me banorët theksoi rëndësinë e këtyre takimeve. Po ashtu, ai foli për projektet që planifikohen të përfundojnë deri në fund të këtij viti.
Ndërkohë, drejtori i Financave, z. Enver Berisha, ka bërë një prezantim të shkurtër të draft-buxhetit lidhur me përmbajtjen e tij, të hyrat, shpenzimet, projektet kapitale dhe zhvillimin ekonomik për të gjithë qytetarët.
