Komuna e klinës ka investuar në dy projekte në sistemin e ujitjes së tokave bujqësore
Me qëllim të përcjelljes së ecurive të punimeve të përfunduara në këto dy projekte kapitale në aspektin e sistemit të ujitjes së tokave bujqësore në këto lokalitete, kryetari i Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, me bashkëpunëtorët e tij, përkatësisht drejtorin e Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, z. Enver Marmullaku dhe zyrtarë të tjerë të kësaj drejtorie, vizituan punimet e kryera të këtyre dy projekteve të një rëndësie të veçantë. Qeveria komunale e Klinës, në krye me kryetarin z. Sokol Bashota, zhvillimit të bujqësisë së qëndrueshme në këtë komunë i ka kushtuar dhe po i kushton një rëndësi të veçantë. Ky përkushtim rrjedh nga fakti që bujqësia është një nga segmentët më të rëndësishëm të zhvillimit në këtë komunë.
Zhvillimi i bujqësisë nuk mund të paramendohet pa sistemin e mirëfilltë të ujitjes. Për këtë qëllim pushteti lokal ka ndarë mjete të konisderueshme në sigurimin e ujit për ujitjen e tokave bujqësore, në shtrirjen e sistemit për ujitje në sipërfaqe sa më të mëdha dhe në menaxhimin e suksesshëm dhe afatgjatë të sistemeve të ujitjes.
Në këtë drejtim vlen të potencohet edhe investimet e fundit që ka bërë pushtetit lokal i Komunës së Klinës në ndërtimin e pendës së ujitjes në fshatin Krushevë e Madhe dhe kanalin e ujitjes në fshatin Jagodë.
Me qëllim të përcjelljes së ecurive të punimeve që kanë ndodhur në këto dy projekte kapitale në aspektin e sistemit të ujitjes së tokave në këto lokalitete, kryetari i Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, me bashkëpunëtorët e tij, përkatësisht drejtorin e Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, z. Enver Marmullaku dhe zyrtarë të tjerë të kësaj drejtorie, vizituan punimet e kryera të këtyre dy projekteve të një rëndësie të veçantë. Kryetari Bashota dhe bashkëpunëtorët u ndanë të kënaqur me punimet e kryera dhe premtuan se projekte të kësaj natyre në të ardhemn do të realizohen edhe në mjedise e lokalitete të tjera.
Ndërtimi i pendës mbi lumin Drini i Bardhë në Krushevë të Madhe për ujitjen e tokave bujqësore do të ketë shtrirje të sipërfaqes së tokës në kapacitet prej 500 hektarësh. Investitor i këtij projekti është Komuna e Klinës, ndërsa projekti ka kushtuar 90.000 euro.
Qëllimi i realizimit të këtij projekti është mundësia e ujitjes se tokave bujqesore të kësaj zone, zhvillimit të bujqesise, rritja e prodhimtarisë dhe produktivitetit, cilësisë së prodhimit dhe ulja e papunësisë në këtë anë.
Me këtë rast, po ashtu për këtë qëllim, ështe duke u realizuar edhe ndërtimi i kanalit të ujitjes nga penda e Zllakuqanit, e cila është rregulluar kohë me parë, që vazhdon nëpër fshatin Jagodë , deri në Videjë. Me rregullimin e këtij kanali do të ujiten mbi 300 hektarë sipërfaqe të tokës. Në këtë vit, po ashtu janë paraparë të ndërtohen edhje 540 metra kanal për ujitje qe kap koston prej 17500 euro. Ndërsa, për vitin e ardhshëm për vazhdimin e ndërtimit të kanalit është paraparë që të investohen edhe 15000 euro të tjera për këtë qëllim.
Bujqit të këtyre lokaliteteve kanë mirëpritur dhe kanë falënderuar pushtetin lokal për këto investime që ka bërë në këtë fushë të rëndësishme, që kuptohet me këto sisteme do të ndikohet drejtpërdrejt në shtimin e prodhimtarisë, rritjen e cilësisë dhe rritjen e aftësive konkurruese të prodhimeve bujqësore.