Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, mori pjesë sot në ceremoninë përkujtimore me rastin e 28-vjetorit të rënies heroike të dëshmorit të kombit, Muhamet Haxhaj.
Në shenjë nderimi dhe respekti, kryetari Elezaj, së bashku me kryetarin e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, kryesuesin e Kuvendit të Komunës, Enver Berisha, Hajdin Balaj, përfaqësues të OVL-UÇK-së në Klinë, familjarë të dëshmorëve, bashkëpunëtorë të komunës dhe qytetarë, bënë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Kompleksin Memorial “Kodra e Kuqe” në Grabanicë.
Në këtë përvjetor u përkujtuan me respekt ngjarjet e 3 korrikut 1998, kur në vendin e njohur si “Kulla e Qëndresës” u zhvillua një betejë e ashpër ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupatore serbe. Në këtë betejë, komandant “Naimi”, Muhamet Haxhaj, së bashku me bashkëluftëtarët e tij, me armatim të lehtë, por me guxim, vendosmëri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, luftoi për të ndalur depërtimin e forcave armike drejt Kijevës. Ai ra heroikisht në altarin e lirisë, duke zënë një vend të përhershëm në historinë e luftës për çlirimin e Kosovës.
Sakrifica e Muhamet Haxhajt dhe e të gjithë dëshmorëve të kombit mbetet themel i lirisë dhe i shtetit që gëzojmë sot. Kujtimi për ta është një obligim i përhershëm institucional dhe shoqëror për të ruajtur, çmuar dhe përcjellë te brezat e rinj vlerat për të cilat ata dhanë jetën.
Lavdi dëshmorit të kombit, Muhamet Haxhaj!
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për lirinë e Kosovës!