Në një ngjarje të rëndësishme për shëndetin e banorëve të komunës së Klinës, e në veçanti grave është përuruar sot vendosja e mamografit të ri në qendrën kryesore të mjekësisë familjare “Nënë Tereza”, në Klinë, një pajisje kjo e avancuar për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Kjo pajisje moderne ofron ekzaminime të detajuara dhe me cilësi të lartë, duke ndihmuar në identifikimin e ndryshimeve të vogla në indet e gjirit, të cilat shpesh janë të vështira për t’u zbuluar në fazat e hershme.
Në këtë përurim morën pjesë kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, nënkryetarja e komunës Marqe Tanushi – Selmanaj, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agron Bacaj, komandanti i KFOR, RC WEST, Rocco Mundo, staf i QKMF-së si dhe media.
“Rëndësia e këtij mamografi është e jashtëzakonshme, pasi diagnoza e hershme luan një rol kyç në trajtimin efektiv të kancerit të gjirit. Me këtë pajisje të re, banorët e komunës së Klinës e në veçanti gratë do të kenë mundësinë të kryejnë ekzaminimet pranë qendrës kryesore të mjekësisë familjare “Nënë Tereza”, pa pasur nevojë për udhëtime të gjata drejt qendrave të specializuara.
Kjo do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit për kujdesin e hershëm dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për gratë që mund të preken nga kjo sëmundje, sidomos në këtë muaj rozë i cili edhe i dedikohet këtyre aktiviteteve.” – ka thënë kryetari Elezaj.
Në ceremoninë e përurimit edhe nënkryetarja e komunës, znj. Selmanaj, theksoi rëndësinë e kësaj pajisjeje, duke nënvizuar se është një hap i rëndësishëm drejt parandalimit dhe trajtimit të sëmundjeve të rënda si kanceri i gjirit. Kjo pajisje është një investim që garanton një të ardhme më të shëndetshme për komunitetin dhe shpresë për shumë gra.

