Në Klinë është mbajtur tryeza e pestë me radhë, me rastin e themelimit të Zyrës Mobile për Ndihmë Juridike Falas në këtë komunë.
Panelist në tryezë ishte edhe z. Binak Sylaj, Drejtor i Administratës në Komunën e Klinës, i cili e ka përkrahur Zyrën Mobile për Ndihmë Juridike Falas Klinë nëpërmjet sigurimit të hapësirave të punës dhe në vazhdimësi e ka mbështetur funksionimin e saj. Ai theksoi se: “Nëpërmjet ndihmës juridike, qytetarëve u sigurohet mbrojtja e të drejtave që ju takojnë”.
Gjatë tryezës, z. Faton Jashari, U.D. Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Ndihmë Juridike, potencoi rëndësinë e shtrirjes së ndihmës juridike falas edhe në komunën e Klinës si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional me akterët komunal dhe organizatat jo qeveritare në nivel lokal, me qëllim të sigurimit të qasjes në drejtësi të të gjithë qytetarëve.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe përfaqësues nga Komuna e Klinës, Stacioni Policor, Institucioni i Avokatit të Popullit, Qendra për Punë Sociale, Gjykata Themelore Pejë – Dega Klinë, avokatë etj., si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare lokale.
Zyra Mobile për Ndihmë Juridike Falas në Klinë gjendet me adresë tek Qendra e Kulturës ”Jehona e Dukagjinit” dhe funksionon nga e hëna në të premte, duke filluar nga ora 8:00 deri 16:00.
Telefononi në 046 127 201 ose kontaktoni në email adresën: info.anjf@rks-gov.net
Ky aktivitet është mbështetur nga Qeveria Gjermane përmes @GIZ Kosovo.

