Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Klinës, në kuadër të shënimit të Javës së Rinisë, ka organizuar dhe realizuar një sërë aktivitetesh të dedikuara për informimin, edukimin, fuqizimin dhe përfshirjen aktive të të rinjve në jetën shoqërore dhe institucionale të komunitetit.
Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, u zhvillua një sesion informues me të rinjtë, me fokus në legjislacionin përkatës dhe pasojat që ndërlidhen me përdorimin dhe shpërndarjen e substancave narkotike. Gjatë këtij sesioni u theksua rëndësia e parandalimit, informimit dhe ndërgjegjësimit të të rinjve për rreziqet dhe pasojat e përdorimit të substancave narkotike.
Në bashkëpunim me QKMF-në “Nënë Tereza”, u organizua një aktivitet edukativ me nxënësit e dy shkollave të mesme, me temën “Shëndeti dhe kujdesi për shëndetin”. Gjatë këtij aktiviteti, nxënësit patën mundësi të informohen dhe të marrin këshilla profesionale lidhur me rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit dhe promovimin e një stili të shëndetshëm të jetesës.
Po ashtu, në bashkëpunim me Qendrën Rinore “Ardhmëria” dhe OSBE-në, u organizua një punëtori e dedikuar për procesin e themelimit të Këshillit Rinor Lokal. Në kuadër të punëtorisë u zhvilluan diskutime lidhur me rolin dhe rëndësinë e këtij mekanizmi, si dhe u punua në draftin e Planit të Veprimit për Rininë, me synim përfshirjen e prioriteteve, nevojave dhe ideve të të rinjve në politikat dhe proceset lokale të vendimmarrjes.
Realizimi i këtyre aktiviteteve synon të kontribuojë në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për të rinjtë, duke promovuar informimin, pjesëmarrjen aktive, bashkëpunimin dhe fuqizimin e tyre në komunitet.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport mbetet e përkushtuar për të mbështetur dhe zhvilluar iniciativa që u krijojnë të rinjve mundësi për pjesëmarrje, zhvillim personal dhe profesional, si dhe përfshirje aktive në jetën e komunitetit.