Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, priti sot në një takim lamtumirës komandantin e Komandës Rajonale Perëndim (RC-W) të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, kolonelin Federico Mora, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
Gjatë takimit, kryetari Elezaj shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Komunës së Klinës dhe KFOR-it, duke e falënderuar kolonelin Mora për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e tij të çmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për qytetarët e Kosovës gjatë ushtrimit të detyrës.
Me këtë rast, kryetari Elezaj i shprehu kolonelit Mora mirënjohjen për angazhimin dhe shërbimin e tij të dalluar në krye të Komandës Rajonale Perëndim, duke i uruar suksese të mëtejshme në detyrën e tij të ardhshme.