Fjala e kryetarit të Komunës së Klinës , z. Sokol Bashota.
Qytetarë të nderuar,
Sot, ndihem shumë krenar dhe tepër i privilegjuar që kam rastin t’ju drejtohem në këtë Ditë të Madhe për Popullin e Kosovës, ditë kjo kur përfaqësuesit tanë legjitim të Parlamentit të Republikës së Kosovës, bën aktin më të madhërishëm dhe më sublim të historisë: nënshkruan pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke realizuar kështu synimin shumëshekullor të këtij populli për liri dhe pavarësi në trojet tona stërgjyshore.
Me aktin e pavarësisë përfaqësuesit e popullit tonë e bënë Kosovën pjesë të familjes së madhe të vendeve të lira dhe demokratike të botës.
17 shkurti i vitit 2008, është akti më madhështor i historisë së vendit tonë, është çasti më sublim dhe më madhor i gjithë historisë së Kosovës.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës është rezultat i punës, i angazhimit , i dijes, i sakrificës dhe i luftës së pandërprerë të popullit të Kosovës për realizimin e së drejtës më themelore të secilit popull, lirisë dhe mëvetësisë së tij.
Edhe popullit të Kosovës, si shumë popujve të tjerë liridashës, i është dashur të vuajë e të sakrifikojë shumë për të arritur ditën e shumëpritur të saj, Ditën e Pavarësisë. Ndaj, si gjithmonë, është momenti që t’i kujtojmë me nderim baballarët tanë, nënat, vëllezërit, motrat, bijtë dhe bijat më të mira të këtij vendi, të cilët, në vite dhe në rrethana të ndryshme, u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Sot, dua ta kujtoj në mënyrë të veçantë të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës: Dëshmorët e Kombit, në krye me komandantin legjendar të UÇK-së Adem Jashari dhe të gjithë ata që me vullnetin dhe përkushtimin e tyre punuan, luftuan dhe u flijuan për të ardhmen e këtij vendi, duke u bërë bazament i përjetshëm në themelet e lirisë dhe të pavarësisë së shtetit të Kosovës.
Në këtë ditë të shënuar, në ditëlindjen e Republikës së Kosovës, shprehim falënderimet tona më të sinqerta për miqtë tanë: SHBA-të, shtetet e Bashkimit Evropian, si dhe për të gjitha vendet e tjera anëtare të NATO-s dhe të botës demokratike, të cilat dhanë ndihmën e tyre vendimtare për çlirimin e vendit tonë.
Ne do t’u jemi përherë mirënjohëse këtyre vendeve, të cilat, faktikisht, e ndihmuan popullin e Kosovës për të përjetuar frymën e lirisë, duke na mundësuar të nisim një epokë të re në marrëdhëniet e ndërsjella; të nisim epokën e integrimit në familjen e madhe të vendeve të lira e demokratike të botës si dhe në strukturat euro-atlantike.
Për këto tetë vjet pavarësi dhe 16 vjet nga çlirimi, Kosova ka ndryshuar imazhin e saj, jo vetëm në pikëpamje kushtetuese e juridike, por edhe në infrastrukturën ekonomike e sociale. Ndryshimet janë të dukshme dhe të prekshme në të gjitha fushat: në zhvillimin e sektorit privat, në infrastrukturën shkollore, shëndetësore, kulturore e sportive, në infrastrukturën rrugore dhe në të gjitha fushat e tjera të zhvillimit.
Ky imazh dhe ky zhvillim i Republikës sonë ka reflektuar edhe në zhvillimin e hovshëm të Komunës së Klinës. Klina me lokalitetet e saj tashmë ka ndryshuar krejtësisht pamjen e saj, duke ofruar kushte dhe një jetë më të dinjitetshme për të gjithë qytetarët e kësaj pjese të rëndësishme të republikës sonë.
U morëm dhe po merremi me tejkalimin e pasojave në zhvillimin hapësinor, zhvillimin urban, zhvillimin ekonomik, në zhvillimin arsimor, kulturor, shëndetësor, të problemeve të mëdha sociale dhe të varfërisë. Ndërtuam shumë shkolla, qendra të mjekësisë familjare, shumë rrugë, terrene sportive, u munduam që ta përmirësojmë rregullin në qytet, të bëjmë më shumë parqe për fëmijë, për të rinj dhe objekte të tjera të rëndësishme. Zhvillimi i Klinës vazhdon me realizim projektesh në çdo fushë të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik.
Të gjitha të arriturat që i kemi realizuar dhe presim t’i realizojmë , nuk duhet të na krijojnë ndonjë vetëkënaqësi, sepse ende kemi shumë punë për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë. Jemi të përkushtuar në këtë drejtim, sepse gëzojmë besimin e qytetarit tonë, i cili na vlerëson më së miri, duke i prekur dhe duke i shijuar të gjitha projektet që Komuna e Klinës ka bërë dhe do të bëjë për një jetë edhe më të mirë të tyre.
Me këtë rast falënderoj të gjithë donatorët dhe të gjithë bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë jashtë atdheut, për ndihmën e dhënë në zhvillimin ekonomik të Komunës së Klinës.
Duke ju uruar edhe një herë tetë vjetorin e pavarësisë së Republikës, ju ftoj që të punojmë së bashku, në mënyrë që vendin tonë të dashur – Klinën tonë të bukur ta bëjmë qytet të përparuar dhe të zhvilluar në të gjitha aspektet e jetës, qytet në të cilin secili qytetar do të ndjehet njësoj i rëndësishëm dhe njësoj i çmuar.
Le të punojmë, pra, me dashuri dhe me besim se e ardhmja e qytetarëve të Klinës dhe të Republikës së Kosovës do të jetë edhe më e ndritur, edhe më e begatshme.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!
Zoti e bekoftë Klinën dhe qytetarët e saj!
Zoti i bekoftë të gjithë miqtë e Kosovës!
Urime Dita e Pavarësisë!
Klinë, 16 shkurt 2016