Komuna e Klinës ka vijuar me organizimin e dëgjimeve buxhetore në kuadër të procesit të hartimit të draft-buxhetit për vitin 2027.
Pas dëgjimit të parë buxhetor, të mbajtur në sallën e konferencave të Komunës së Klinës me pjesëmarrjen e kryetarëve të këshillave të fshatrave, gjatë javës së kaluar janë zhvilluar edhe katër dëgjime të tjera publike në Zajm, Drenoc, Shtupel dhe Grabanicë.
Në këto takime kanë marrë pjesë banorë të fshatrave përkatëse dhe të lokaliteteve përreth, të cilët kanë paraqitur kërkesat, nevojat dhe prioritetet e komuniteteve të tyre për investime gjatë vitit të ardhshëm.
Në dëgjimet buxhetore kanë marrë pjesë kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, drejtorë të drejtorive, anëtarë të Kuvendit të Komunës dhe zyrtarë përgjegjës për procesin e dëgjimeve buxhetore.
Gjatë takimeve, kryetari Elezaj i ka njoftuar qytetarët për projektet e planifikuara për vitin 2027, me theks të veçantë në projektet prioritare dhe investimet që adresojnë nevojat më të rëndësishme të komuniteteve.
Qytetarët, nga ana e tyre, kanë prezantuar kërkesat dhe propozimet e tyre, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ndriçimin publik, ndërtimin e trotuareve, kanalizimet dhe investime të tjera me rëndësi për përmirësimin e kushteve të jetesës.
Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, ka theksuar se përfshirja e qytetarëve në procesin e planifikimit buxhetor mbetet një nga parimet e rëndësishme të qeverisjes lokale.
“Komuna e Klinës ka dëshmuar ndër vite përkushtimin e saj për të qenë sa më pranë qytetarëve dhe për t’i përfshirë kërkesat e tyre në planifikimin dhe realizimin e projekteve buxhetore. Përmes një procesi transparent, të hapur dhe gjithëpërfshirës, synojmë të ndërtojmë një buxhet që pasqyron nevojat reale të qytetarëve dhe prioritetet e komuniteteve tona. Çdo kërkesë e paraqitur gjatë këtyre dëgjimeve do të shqyrtohet me përgjegjësi dhe në përputhje me mundësitë buxhetore, gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2027 dhe planifikimit për periudhën e ardhshme trevjeçare”, ka theksuar kryetari Elezaj.
Komuna e Klinës do të vazhdojë organizimin e dëgjimeve buxhetore edhe në fshatra të tjera të komunës, me qëllim që qytetarët të kenë mundësi të drejtpërdrejtë për të dhënë propozimet dhe kërkesat e tyre.
Ky proces synon të sigurojë një planifikim buxhetor sa më transparent, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt nevojave dhe prioriteteve konkrete të qytetarëve të Komunës së Klinës.