Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, së bashku me nënkryetarin Fadil Gashi dhe drejtorin e Qendrës për Punë Sociale, Ilir Bacaj, ka pritur në takim ministren në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, me të cilën është nënshkruar Marrëveshja e Grantit për realizimin e investimeve në kuadër të Projektit të Banimit Social Adekuat.
Në kuadër të këtij projekti, Komuna e Klinës ka përfituar 1 milion e 865 mijë euro, të cilat do të investohen në tri drejtime:
- 1.35 milionë euro për ndërtimin e rreth 20 njësive të reja të banimit social;
- 350 mijë euro për renovimin e rreth 14 shtëpive private;
- 165 mijë euro për rindërtimin e 3 shtëpive private.
Në total, përmes këtij projekti do të trajtohen rreth 37 njësi banimi dhe shtëpi, duke krijuar kushte më të mira, më të sigurta dhe më dinjitoze të jetesës për familjet në nevojë.
Kryetari Zenun Elezaj ka falënderuar ministren në detyrë Fitore Pacolli për mbështetjen e dhënë ndaj Komunës së Klinës dhe për realizimin e këtij investimi të rëndësishëm.
Ai ka vlerësuar gjithashtu punën e komisionit, njësisë përgjegjëse dhe grupit punues, të cilët janë angazhuar në përgatitjen e të gjitha aspekteve administrative dhe teknike të projektit.
“Si komunë jemi angazhuar maksimalisht që të përmbushim të gjitha kriteret dhe kërkesat për realizimin e këtij projekti. Falënderoj veçanërisht anëtarët e grupit punues për punën dhe angazhimin e palodhshëm, që kanë kontribuar që Komuna e Klinës të jetë një nga përfitueset e këtij projekti”, ka theksuar kryetari Elezaj.
Ky investim paraqet një hap konkret drejt përmirësimit të kushteve të jetesës dhe krijimit të një ambienti më të sigurt e më dinjitoz për familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.