Komuna e Klinës, në bashkëpunim me Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, po avancon bashkëpunimin institucional dhe akademik në funksion të planifikimit të qëndrueshëm dhe zhvillimit afatgjatë të komunës.
Sot, në Komunën e Klinës u mbajt një punëtori institucionale në kuadër të procesit të hartimit të Studimit të Fizibilitetit për Komunën e Klinës, me pjesëmarrjen e kryetarit të Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, nënkryetarit Fadil Gashi, kryesuesit të Kuvendit Komunal, Enver Berisha, përfaqësuesve të Universitetit “Haxhi Zeka” dhe drejtorëve të drejtorive komunale.
Gjatë punëtorisë u shqyrtuan dhe u vlerësuan të dhënat zhvillimore për periudhën 2021-2025, me fokus në infrastrukturë, zhvillim territorial, kapital njerëzor, tregun e punës, potencialet ekonomike dhe prioritetet zhvillimore të Klinës.
Ky proces synon të identifikojë nevojat, sfidat dhe mundësitë zhvillimore të komunës, duke krijuar një bazë të besueshme për përcaktimin e prioriteteve strategjike, planifikimin e investimeve dhe hartimin e politikave publike të mbështetura në të dhëna konkrete.
Komuna e Klinës mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe profesionale, në mënyrë që vendimmarrja dhe investimet e ardhshme të orientohen drejt nevojave reale të qytetarëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm të komunës.