Komiteti për Komunitete i Kuvendit të Komunës së Klinës mbajti mbledhjen e gjashtë për këtë vit, të udhëhequr nga kryesuesja Leonora Jaha Dakaj. Në mbledhje morën pjesë edhe drejtori i Administratës, Binak Sylaj, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agron Bacaj, si dhe anëtarët e Komitetit. Gjatë mbledhjes u diskutua për çështje me rëndësi për komunitetet, me theks të veçantë në qasjen në shërbimet komunale dhe shëndetësore. Fillimisht, anëtarët shqyrtuan procesverbalet e mbledhjeve të mbajtura në muajt korrik dhe shtator. Më pas, diskutimi u përqendrua në funksionimin e administratës komunale dhe mundësitë për të siguruar qasje sa më të lehtë të pjesëtarëve të komuniteteve në shërbimet publike. Një ndër çështjet e trajtuara gjatë mbledhjes ishte edhe qasja e qytetarëve të Klinës në kujdesin shëndetësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në Kijevë. Kryesuesja e Komitetit, Leonora Jaha Dakaj, ngriti shqetësimin lidhur me tarifat që aplikohen për qytetarët e Klinës në këtë qendër. Në këtë drejtim, ajo kërkoi nga drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agron Bacaj, që të shqyrtojë mundësinë e inicimit të bashkëpunimit me Komunën e Malishevës, me qëllim të harmonizimit të tarifave dhe lehtësimit të barrës financiare për qytetarët e Klinës. Në vijim të mbledhjes, u trajtua edhe raportimi i Zyrës për Komunitete dhe Kthim (ZKK) lidhur me aktivitetet mujore, si dhe çështjet, kërkesat dhe shqetësimet e ngritura nga komunitetet. Mbledhja përfundoi me pikën “Të ndryshme”, ku u trajtuan çështje të tjera që lidhen me punën dhe përgjegjësitë e Komitetit. Komuna e Klinës, përmes mekanizmave të saj institucionalë, vazhdon të trajtojë çështjet me interes për komunitetet, duke synuar përmirësimin e qasjes në shërbimet publike dhe adresimin e nevojave të qytetarëve.