Kryetari i Komunës së Klinës, Prof.Dr. Zenun Elezaj, bashkë me bashkëpunëtorë të tij, sot në shënimin e Ditës së Tokës kanë mbjellë fidanë në hapësirat e parkut “Ilir Merturi”, simbol i mbështetjes për rritjen e hapësirave të gjelbëruara si dhe mbrojtjen e mjedisit.
Kryetari Elezaj gjatë këtij aksioni simbolik, theksoi se kjo ditë ofron një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për sfidat në lidhje me mirëqenien e ambientit ku jetojmë.
“Është një përgjegjësi kolektive, për të promovuar harmoninë me natyrën. Të gjithë bashkë me veprimet tona të kujdesit mjedisor, sado të vogla mund të sjellin ndryshime tek brezat e tanishëm dhe të ardhshëm të njerëzimit” – ka thënë Elezaj.




