Në shënim të 2 Korrikut – Ditës së Deklaratës Kushtetuese të Kosovës, Komuna e Klinës organizoi ceremoninë e përurimit të shtatores së Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Me këtë rast, hapësira ku është vendosur shtatorja u emërtua Sheshi “Ibrahim Rugova”.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, theksoi se kjo shtatore është simbol i kujtesës, identitetit dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, si dhe një dëshmi e respektit për veprën dhe trashëgiminë shtetformuese të Presidentit Rugova. Kryetari Elezaj shprehu mirënjohje të veçantë për donatorët, Marjan dhe Ilir Çubi, të cilët mundësuan realizimin e kësaj vepre monumentale, duke vlerësuar kontributin e tyre në ruajtjen e kujtesës historike dhe pasurimin e hapësirës publike të qytetit.
Ceremonia u zhvillua në praninë e përfaqësuesve institucionalë, familjarëve të dëshmorëve, veteranëve e invalidëve të luftës, klerikëve fetarë, mysafirëve dhe qytetarëve të shumtë.