Komuna e Klinës ka mbajtur dëgjimin e shtatë buxhetor për Draft-Buxhetin e vitit 2025 në shkollën fillore të mesme të ulët “Ismet Raci,” me temën “Prioritetet e grave të komunës së Klinës, personat me aftësi të kufizuara dhe kategoritë e tjera të margjinalizuara,” i cili filloi në orën 13:00.
Gratë e Klinës luajtën një rol aktiv në diskutimet për projektet e ardhshme të zhvillimit. Në takim morën pjesë përfaqësuese nga fusha të ndryshme, duke përfshirë biznese të vogla, organizata të shoqërisë civile dhe banore të zonave rurale.
Ky dëgjim u organizua për të siguruar që nevojat dhe prioritetet e grave të jenë pjesë integrale e planifikimit buxhetor të komunës. Sipas pjesëmarrëseve, prioritet mbetet ndarja e subvencioneve për biznese në formë pajisjesh, mbështetja e produkteve bujqësore, subvencionimi i strehimit për gratë viktima të dhunës në familje, si dhe krijimi i një kanali të ujitjes në fshatin Krushevë e Madhe. Për personat me aftësi të kufizuara, u kërkuan hapësira të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre.
Në takim ishin të pranishëm nënkryetarja e Komunës së Klinës, drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, si dhe anëtarë të grupit punues. Ata u përgjigjën pyetjeve dhe shqetësimeve të pjesëmarrësve, duke ofruar sqarime lidhur me kërkesat dhe trajtimin e tyre.
Një moment i rëndësishëm ishte fjala e nënkryetares së komunës, e cila theksoi rëndësinë e zërit të grave në proceset vendimmarrëse. Ajo siguroi se komuna është e përkushtuar për të përfshirë perspektivën gjinore në projektet e ardhshme, dhe se dëgjime të tilla janë thelbësore për t’u siguruar që investimet do të përmbushin nevojat reale të të gjitha grupeve të shoqërisë.
“Ky dëgjim buxhetor është një platformë e rëndësishme për të dëgjuar gratë, sepse vetëm përmes dialogut të hapur dhe bashkëpunimit mund të krijojmë projekte që kanë ndikim real për to,” deklaroi nënkryetarja e komunës gjatë fjalimit të saj.
