Komuna e Klinës ka filluar ciklin e dëgjimeve buxhetore në kuadër të hartimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) 2027–2029.
Kryetari i Komunës së Klinës, z. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Financave, Ekonomisë dhe Zhvillimit, Faruk Smjali, drejtori i Administratës, Binak Sylaj, si dhe kryetarët e Këshillave të Fshatrave, mbajti dëgjimin e parë buxhetor për planifikimin e projekteve dhe prioriteteve komunale për periudhën 2027–2029.
Gjatë takimit u prezantua Draft-Korniza Afatmesme Buxhetore dhe projektet e planifikuara për realizim nga buxheti komunal në vitet e ardhshme. Me këtë rast, u theksua rëndësia e rolit të Këshillave të Fshatrave në identifikimin e nevojave të qytetarëve dhe në propozimin e projekteve prioritare për zhvillimin e lokaliteteve të tyre.
Falë bashkëpunimit të vazhdueshëm me qytetarët, gjatë viteve të fundit një numër i konsiderueshëm i kërkesave të paraqitura në dëgjimet buxhetore janë përfshirë në Kornizën Afatmesme Buxhetore dhe në buxhetin komunal. Prandaj, Komuna e Klinës fton të gjithë qytetarët që të kontribuojnë me propozimet dhe kërkesat e tyre, qoftë në takimet e planifikuara, qoftë përmes postës elektronike deri më 16 qershor 2026.
Nga kryetarët e Këshillave të Fshatrave u paraqitën disa kërkesa për investime, kryesisht në fushën e infrastrukturës. Të gjitha propozimet do të shqyrtohen dhe analizohen nga grupi punues për hartimin e KAB-it, ndërsa qytetarët do të informohen për rezultatet para se dokumenti të procedohet për miratim në Kuvendin Komunal.
Propozimet dhe kërkesat mund të dërgohen në adresat elektronike:
• Egzon Sejdiu – egzon.sejdiu@rks-gov.net
• Melihate Behramaj – melihate.behramaj@rks-gov.net