Në sallën e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Klinës u mbajt mbledhja e katërt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) për vitin 2026.
Gjatë takimit u diskutua për rastet e dhunës në familje dhe masat për parandalimin e saj, mbrojtjen e pyjeve nga dëmtimet ilegale, gjendjen e përgjithshme të sigurisë në komunë, si dhe sigurinë në shkolla.
Po ashtu, u trajtuan çështjet që lidhen me përdorimin e substancave narkotike, bartjen e mjeteve të rrezikshme dhe organizimin e trajnimeve për nxënësit lidhur me përdorimin e mjeteve kundër zjarrit.
Mbledhja shërbeu për të shqyrtuar çështjet e sigurisë dhe për të diskutuar masat që kontribuojnë në parandalimin e dukurive negative dhe rritjen e sigurisë në komunitet.