Nën udhëheqjen e Kryesuesit të Kuvendit Komunal, Enver Berisha, u mbajt seanca e VI-të e rregullt e Kuvendit të Komunës së Klinës.
Gjatë seancës, asamblistët shqyrtuan dhe miratuan procesverbalin e mbledhjes së kaluar, rekomandimet e Komitetit për Politikë dhe Financa, Draft-Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027–2029, si dhe Planin e Punës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për vitin 2026. Gjithashtu, u prezantuan raporti nga procesi i konsultimit publik për Draft-Kornizën Afatmesme Buxhetore, raporti gjashtëmujor i Kryetarit të Komunës për qeverisjen komunale, performanca komunale për vitin 2025 dhe informata lidhur me menaxhimin e mbeturinave në territorin e Komunës së Klinës.
Në fund të seancës, përfaqësuesit e KFOR-it shprehën mirënjohjen e tyre për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Komunën e Klinës. Në shenjë falënderimi dhe respekti të ndërsjellë, Kryetari i Komunës,Zenun Elezaj, u dhuroi përfaqësuesve të KFOR-it stemën e Komunës së Klinës, si simbol i vlerësimit për partneritetin dhe bashkëpunimin e mirë.