Në kuadër të dëgjimeve buxhetore për Projekt-Buxhetin e Komunës së Klinës për vitin 2027, është zhvilluar një takim me Asamblenë Komunale të Fëmijëve.
Në këtë dëgjim buxhetor morën pjesë kryetari i Komunës së Klinës, prof. dr. Zenun Elezaj, drejtori i Financave, Faruk Smajli, si dhe drejtori i Arsimit, Qemajl Sejdija.
Kryetari Elezaj i informoi anëtarët e Asamblesë Komunale të Fëmijëve lidhur me draft-buxhetin dhe projektet e planifikuara për realizim, me fokus të veçantë në sektorët e arsimit, kulturës, rinisë dhe sportit. Ai theksoi se të gjitha kërkesat e paraqitura gjatë dëgjimeve buxhetore do të analizohen me kujdes dhe do të shqyrtohen për përfshirje në buxhet, brenda mundësive financiare të komunës.
Në kuadër të këtij procesi konsultues, përfaqësuesit e Asamblesë Komunale të Fëmijëve paraqitën kërkesat dhe rekomandimet e tyre, duke kërkuar që ato të reflektohen në Projekt-Buxhetin e vitit 2027. Ata theksuan rëndësinë e planifikimit të një buxheti të ndjeshëm ndaj fëmijëve, i cili adreson nevojat, të drejtat dhe prioritetet e tyre.
Pjesëmarrja aktive e Asamblesë Komunale të Fëmijëve në procesin e planifikimit buxhetor dëshmon përkushtimin e Komunës së Klinës për përfshirjen e fëmijëve në proceset vendimmarrëse dhe për zbatimin në praktikë të së drejtës së tyre për t’u dëgjuar në të gjitha çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën dhe mirëqenien e tyre