Mbrëm, në Klinë ka përfunduar Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”, festival i cili i kushtohet dëshmorit të kombit, Mujë Krasniqit komandant “Kapuçit”.
Çmimin kryesor “Mujë Krasniqi” të edicionit të 22-të të këtij festivali e ka fituar SHKA “Shote Galica” nga Drenasi.
Vendin e dytë në këtë festival e ka marrë “Ansambli i Qytetit” nga Obiliqi, vendin e tretë AKV “Anamorava” nga Vitia. Çmimi i publikut i ka takuar Grupi Polifonik “Thesaret Labe” nga Tirana.
“Në emër të komunës së Klinës, si organizator i festivalit, i falënderoj grupin organizator për organizimin e shkëlqyeshëm të festivalit, jurinë për punën e tyre, pjesëmarrësit që ia kanë shtuar hijeshinë festivalit.
Ne si komunë e kemi mbështetur Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar ‘I këndojmë lirisë’ duke bërë të mundshme që festivali ta përmbush qëllimin, sepse festivali për Klinën është shumë domethënës, për karakterin dhe cilësinë duke u bërë tashmë tradicional dhe identifikues dhe do të vazhdojmë ta mbështesim çdo herë.
Urime për fituesit!
Jetë të gjatë festivalit dhe mbarësi juve!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për heronjtë e UÇK-së!
Lavdi të gjithë të rënëve për çlirimin e Kosovës!
Mirë u takofshim në edicionin e 23-të! – ka thënë kryetari Elezaj.




