Në nderim të dëshmorëve të rënë më 28 korrik 1998, Shefqet Hasanaj nga Gllareva, Ramiz Gashi dhe Nazmi Gashi nga Sferka, Xhafer Gashi nga Përçeva dhe Alush Berisha nga Gjurgjeviku i Madh, u bënë homazhe dhe u vendosën kurora lulesh pranë varreve të tyre në kompleksin memorial “Kodra e Kuqe” në Grabanicë, duke kujtuar me respekt sakrificën dhe veprën e tyre për lirinë e Kosovës.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, nënkryetari Fadil Gashi, kryesuesi i Kuvendit Enver Berisha, përfaqësues të OVL-UÇK-së, drejtorë të komunës, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë.
Me këtë rast, kryetari Elezaj tha se 28 korriku i vitit 1998 ishte një ndër ditët më të rënda për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kur ranë heroikisht Shefqet Hasanaj nga Gllareva, Ramiz Gashi dhe Nazmi Gashi nga Sferka, Xhafer Gashi nga Përçeva dhe Alush Berisha nga Gjurgjeviku i Madh. Ai theksoi se ata luftuan dhe u flijuan për lirinë e Kosovës, duke lënë pas një shembull të pashlyeshëm të atdhedashurisë, guximit dhe përkushtimit ndaj vendit.
Në përfundim u theksua se heroizmi dhe sakrifica e dëshmorëve mbeten pjesë e pandashme e historisë sonë, ndërsa kujtimi për veprën e tyre do të jetojë përherë si udhërrëfyes dhe frymëzim për brezat që vijnë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!