Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Urbanizmit, z. Enver Berisha, menagjerja e kontratës, znj. Arbrora Thaqi kanë përcjellur sot nga afër zhvillimin e punimeve në projektin “Ndërtimi i rrugëve dhe infrastrukturës nëntokësore në Klinë”, saktësisht në rrugën “Ymer Berisha”, në kuadër të të cilit projekt përfshihet rregullimi i trotuarit për ecje në të dy anët e rrugës, shiriti për ecje për persona të verbër, rrugën për qarkullim të automjeteve, gjelbërim me drurë dekorativë, ulëse, ndriçim si dhe rregullime në infrastrukturën nëntokësore.
Kryetari Elezaj gjatë inspektimit të këtyre punimeve është shprehur i lumtur me realizimin e këtij projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili do të bëjë një transformim i kësaj rruge dhe do të ketë hapësira më të mëdha për shfrytëzim nga qytetarët.
kryetari Elezaj ka kërkuar nga kompania punëkryese që punimet të përfundojnë në një afat sa më të shkurtër kohor, ndërsa ka theksuar se në vitin tjetër do të vazhdojnë punimet për rregullimin e rrugës dhe trotuarit deri te gjimnazi “Luigj Gurakuqi”.
Vlera e këtij investimi është afër 290 mijë euro.




