Komuna e Klinës, respektivisht, Zyra për Barazi Gjinore, me rastin e shënimit të 8 Marsit- Ditës Ndërkombëtare të Gruas, po vazhdon me mbajtjen e aktiviteteve, ku sot ka organizuar orë letrare në hapësirat e bibliotekës së qytetit “Kongresi i Manastirit”.
Në këtë orë letrare morën pjesë nënkryetarja e komunës së Klinës, znj. Marqe Tanushi-Selmanaj, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Fatjona Gashi, zyrtarja për Barazi Gjinore, znj. Vitore Shala, mësimdhënëse e nxënëse nga shkollat e komunës së Klinës, gra përfaqësuese nga asambleja komunale, përfaqësuese nga KFOR-i Italian dhe media.
Kjo orë letrare kishte karakter garues dhe interpretues të poezive. Në garë morën pjesë shumë nxënës të shkollave me poezitë e tyre vetëkrijuese të cilat u kurorëzuan edhe me çmime.
Aktivitetet për shënimin e ditës së gruas do të vazhdojnë edhe nesër, 8 mars, në ora 10:00, e që do të bëhet ndarja e mirënjohjeve për gratë e para nismëtare të Klinës, në sallën e Kuvendit Komunal Klinë.