ZENUN ELEZAJ: PUNA, VEPRIMTARIA DHE IDEALI I ISMETIT RRACIT DO TË MË SHËRBEJNË FRYMËZIM PËR ANGAZHIMIN TIM
Sot në Klinë, në nderim të ish-kryetarit të Komunës së Klinës, Ismet Rraci, me rastin e shtatëmbëdhjetëvjetorit të vrasjes së tij iu bën homazhe përkujtimore dhe iu vunë buqeta me lule pranë bustit të tij të lartësuar në oborrin e Komunës së Klinës, po ashtu edhe mbi varrin në vendlindjen e tij në Siqevë.
Ismet Rraci, ish-kryetar i parë i i Komunës së Klinës zgjedhur me votën e lirë demokratike, u vra në mëngjesin e hershëm të vitit 2001, nga një dorë misterioze, vrasje kjo që edhe pas kaq vitesh ka mbetur e pandriçuar.

Figura e këtij dëshmori të demokracisë dhe lirisë së Kosovës, u vlerësua lart, duke u konsideruar si një luftëtar i denjë i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Fadil Gashi, kryesues i Kuvendit të Komunës së Klinës dhe kryetar i Degës së LDK-së, në fjalën e tij tha se kjo ditë dhe kjo orë ka koinciduar me ditën e martë dhe ora 8 e pesë minuta kur më 24 prill të vitit 2001është vrarë Ismet Rraci. “Kërkesat tona dhe të familjes janë që për t’u nxjerrë në sipërfaqe ata që kanë kryer krimin. Duke iu falënderuar të gjithëve për nderimin që po i bëjmë ish-Kryetarit të Komunës dhe të Degës së LDK-së, familjes i takon krenaria, Ismet Rracit lavdia, neve bashkëpunëtorëve të tij na takon obligimi i përhershëm që kemi ndaj tij” është shprehur kryesuesi Gashi.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj duke u shprehur me këtë rast theksoi se edhe sot pas kaq vitesh e ndjej veten mirë që pata privilegjin që atdhetarin dhe mësimdhënësin Ismet Rraci të me ketë mësuar në shkollën që sot mban emrin e tij dhe tash pas shumë vitesh jam pasardhës i tij, si udhëheqës i institucionit të Komunës. “Puna, angazhimi dhe veprimtaria e tij do të më shërbejnë si frymëzim dhe udhërrëfim për punë dhe angazhim. Asnjëri prej nesh as qytetarët e Klinës nuk janë të qetë derisa të zbulohet vrasja e Ismet Rracit”, ka konstatuar ndër të tjera kryetari Elezaj.
