Sot në ambientet e Komunës se Klinës është mbajtur një takim pune në mes te përfaqësueses të Organizatës CHWB Kosova, Adea Mekuli me bashkëpunëtore dhe drejtorëve komunalë te Komunës së Klinës, drejtorit te Drejtorisë për Financa, Ekonomi dhe zhvillim, Aziz Desku dhe drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport, Skënder Merturi.
Gjatë takimit zyrtarët komunalë u njoftuan se CHWB Kosova në bashkëpunim me Institutin Kërkimor SEMEION në Itali, Universitetin IULM në Itali dhe Uppsala në Suedi ka kryer një studim, i cili analizon ndikimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në zhvillimin rajonal të gjashtë komunave në perëndim të Kosovës. Qëllimi i studimit është që të shfrytëzojë të gjeturat për të ndërtuar një mjet shkencor për vlerësimin e gjendjes aktuale në kulturë dhe për të bërë vlerësime dhe sugjerime për të ardhmen për zhvillim lokal përmes zhvillimeve në kulturë.
Komuna e Klinës është ndër komunat për të cilat është bërë ky studim, të gjeturat e të cilit shihen si bazë për hartimin e strategjive rajonale dhe komunale për zhvillim, duke forcuar partneritetin në mes të aktiviteteve kulturore dhe inovacionit dhe me rritjen e fokusit në aktivitetet kulturore në zonat e cënueshme.
U shkëmbyen edhe ide, mendime dhe propozime për t’iu qasur hartimit të një strategjie sektoriale për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe ndikimit te saj në zhvillimin ekonomik te Komunës.