Organizuar nga OJQ-së “Zana” në Klinë, Grupi punues komunal ka mbajtur konferencë për media, ku është prezantuar projekti “Ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë natyrore dhe kulturore”, koha e realizimit të cilit është prej 15 korrik deri më 15 dhjetor 2011.
Organizuar nga OJQ-së “Zana” në Klinë, Grupi punues komunal ka mbajtur konferencë për media, ku është prezantuar projekti “Ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë natyrore dhe kulturore”, koha e realizimit të cilit është prej 15 korrik deri më 15 dhjetor 2011. Konferencën e hapi koordinatori i projektit, Hajdin Morina, ndërsa prezantimin e rezultateve dhe të aktiviteteve të projektit e bëri Tahire Gashi, drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së “Zana”, e cila është implementuese e projektit. Në konferencë morën pjesë zyrtarë komunalë, , përfaqësues të zyrës së OSBE-së në Klinë, përfaqësuesja e OJQ-së “Syri i vizionit”-Pejë dhe mediat.
Ky projekt bën pjesë në kuadër të projektit të Këshillit të Evropës “Përkrahja e diversitetit kulturor në Kosovë- PDKK-PCDK”, që ka filluar më 15 tetor 2009 dhe mbaron më 14 prill 2012. Komponentët e projektit janë: Zhvillimi lokal; Zhvillimi i arsimit dhe Ngritja e kapaciteteve institucionale. Objektiva të projektit janë: rehabilitimi i trashëgimisë kulturore si mjet për komunikim ndërmjet komuniteteve në Republikën e Kosovës, arritja e standardeve evropiane në kulturë, zhvillimi i turizmit natyror dhe kulturor, vetëdijesimi i qytetarëve për mbrojtjen dhe për promovimin e monumenteve natyrore dhe kulturore. Pjesë të këtyre objektivave janë pjesë e përbashkët e Objektivave të Mijëvjeçarit.
Kryetari i Komunës së Klinës Sokol Bashota, e ka përkrahur dhe ndihmuar këtë projekt që nga fillimi i tij. Koordinatori i projektit-Hajdin Morina, e ka falënderuar z. Bashota për lejimin falas të hapësirës ku zhvillohen aktivitetet e projektit dhe për krejt ndihmesën që ka dhënë në këtë drejtim. Realizimi i këtij projekti për komunën e Klinës është i rëndësisë së veçantë për shkak të pasurive të rralla natyrore dhe kulturore në trevat e kësaj komune, përfshirë terrenet arkeologjike, gjeomonumentet, hidromonumentet dhe biomonumentet e rralla, disa prej të cilave janë shpallur si objekte nën mbrojtje shtetërore. Realizimi i projektit është në përputhje me planin dinamik të Këshillit të Evropës dhe çdo aktivitet po zhvillohet sipas parashikimeve dhe sipas përshkrimeve që janë pjesë e Projektit. Pjesë e Projektit janë edhe shkollat. Shumë nxënës dhe mësimdhënës kanë bërë vizita të ndryshme në vendet arkeologjike dhe kanë mbajtur orë të mësimit në shërbim ose të mësimit krijues, orë që parashihen sipas kurrikulës së lëndës mësimore të Edukatës qytetare. Orë të tilla kanë mbajtur nxënësit e shkollës “Motrat Qiriazi” dhe të shkollës “Ismet Rraci” në ambiente arkeologjike dhe në kuadër të aktiviteteve të grupit të grave që kanë të bëjnë me veshjen tradicionale.