Komuna e Klinës ka mbajtur dëgjimin e nëntë buxhetor për Draft-Buxhetin e vitit 2025 në sallën e Kuvendit Komunal të Klinës, me temën e diskutimit “Projektet investive në zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë”. Në këtë takim, të mbajtur me banorët e komunës së Klinës, me fokus tek bujqit, fermerët, kultivuesit dhe afaristët që operojnë në Klinë, diskutimet filluan në orën 17:00.
Prioritet i këtij takimi doli të jetë nevoja për rritjen e subvencioneve në sektorin e bujqësisë.
Në takim ishin të pranishëm edhe nënkryetarja e Komunës së Klinës, Marqe Tanushi-Selmanaj; drejtori i Urbanizmit, Enver Berisha; drejtori i Financave dhe Zhvillimit Ekonomik, Enver Berisha; drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Lorenc Marleku; si dhe anëtarë të grupit punues.
Nënkryetarja Selmanaj, në fjalën e saj para të pranishmëve, theksoi rëndësinë e mbështetjes për fermerët dhe zhvillimin e infrastrukturës rurale. Ajo vuri në dukje nevojën për shpërndarjen dhe rritjen e fondeve, si dhe investimet strategjike që mund të rrisin prodhimin bujqësor dhe të mbështesin inovacionin në këtë sektor.
Ajo gjithashtu dëgjoi me vëmendje sugjerimet dhe shqetësimet e fermerëve lokalë, duke premtuar se do të angazhohet për një buxhet që pasqyron nevojat reale të komuniteteve rurale dhe që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm bujqësor.
Prezantimi i buxhetit u bë përmes tabelave të mençura, ndërsa pjesëmarrësve iu sigurua edhe materiali në kopje fizike, së bashku me agjendën. Gjithashtu, u bë një përmbledhje e dëgjimeve buxhetore të vitit të kaluar lidhur me projektet e reja dhe ndryshimet buxhetore.
