Tendenca për ta zhvleftësuar personalitetin e një kryetari Komune duke tjetërsuar të vërteten do të duhej më së paku të ishte prezent në mediat tona! Gazeta “Zëri” në të kaluarën nuk është shquar për këtë lloj tendence prandaj jemi të befasuar me shkrimin e botuar sot me titull: “ Bashota, tender për asamblistin e PDK-së”! A thua të ketë “rrëshqitur” edhe kjo e përditshme në vorbullën e thash e thënave dhe mashtrimeve të lexuesve, me tituj “bombastik” e me të dhëna të pavërteta.
Gazeta “Zëri” në shkrimin e përmendura më lart i ka mashtruar lexuesit. Është shërbyer me të pavërteta. Në vazhdim për hir të informimit të saktë të lexuesve po jua japim këto të vërteta të munguara në atë shkrim.
1. Kryetari Bashota, nuk ka dhënë e as nuk jep “tenderë”. Të gjithë e dinë se procedura e tenderimit udhëhiqet nga zyra e prokurimit. Vlerësimi i ofertës nuk bëhet nga Kryetari.
Nënshkrimi i kontratës nuk bëhet nga Kryetari. Po ashtu, dihet botërisht se një procedurë e tillë i nënshtrohet organeve kompetente si KRPP ose OSHP. Gazetës në fjalë ose iu ka ndalë ora para 10 viteve ose gazetarit tendencioz(bashkëqytetarit tonë) Mentor Buzhalës i ka “kënduar qyqja te veshi”. Këtij të fundit ja bëjmë me dije se Drejtor i festivalit është Axha i i tij, profesori i nderuar, me të cilin krenohet tërë Klina e Kosova, z. Prend Buzhala.
2. Sa i përket tenderit prej 990 eurove për darken solemne për 100 mysafirë festivalistë. Procedurat janë udhëhequr komfor ligjit të prokurimit publik 05L-092 neni 37, për vlera të vogla. Gjithashtu nënshkrimi i kontratës është publikuar në KRPP më datë 8 qershor 2016. Gazeta në fjalë është dashur ta shikojë mirë se kush është pronar i OE që e ka fituar tenderin dhe kush e ka nënshkruar kontratën. Ka mashtruar lexuesit kur ka thënë se Ramush Agushi është pronar i Motel “Thana”. Po ashtu ka mashtruar lexuesit kur ka thënë se Ramush Agushi është kryetar i Komisionit për politikë dhe financa në Asamblenë Komunale. Ramush Agushi është vërtetë asamblist i PDK-së, por se as nuk është pronar i Motel “Thana” e as Kryetar i Komisionit për politikë e financa. Pronar i Motel ‘Thana” sipas dokumenteve të prezantuara është z. Manush Agushi. Ndërsa Komisionin për politikë e financa e udhëheq Kryesuesi i Asamblesë, z. Haxhi Ibishi.
Bashkëngjitur këtij shkrimi po jua dërgojmë edhe Certifikatën e regjistrimit të Motel “Thana”.
Ne presim nga gazeta “Zëri”, dhe do të duhej, që të kërkojë falje për të pavërtetat e botuara në atë shkrim.
Për fund, jua bëjmë me dije se Komuna e Klinës është e hapur dhe transparente. Është e gatshme që të bashkëpunojë me çdo institucion dhe individ në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe informimit të tyre të drejtë. Shpresojmë dhe urojmë që në të ardhmen të shërbeheni me të vërteta dhe vetëm më të vërteta.