Në këtë eveniment promovues përpos strukturave të larta politike të Komunës, morën pjesë edhe shkrimtarë dhe krijues letrarë nga Peja, Klina, Malisheva, nxënës të gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë të shkollave fillore të qytetit të Klinës.
Organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Klubi i shkrimtarëve “Voera Ujko”, është bërë promovimi i librit “Dhe unë rri me diellin”, të autorit të afirmuar Hajdin Morina. Kjo ngjarje të rëndësishme letrare e kulturore udhëhoq nga artisti i mirënjohur, z. Ismet Krasniqi – LALA. Ndërkaq, hapjen e këtij manifestimi e bëri drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Klinë, znj. Kristina Lazri. Drejtoresha Lazri në fjalën e saj dhe se kamë kënaqësinë që në emër të DKRS dhe të kryetarit të Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, t’ju uroj mirëseardhje në këtë ditë të shënuar letrare e kulturore për qytetin tonë,me rastin e promovimit të librit poetik të profesorit dhe të krijuesit tashmë të afirmuar në Klinë dhe anekënd Kosovës, z. Hajdin Morina, i cili përmes shtëpisë botuese “Rozafa” në Prishtinë nxori në dritë librin e tij më të ri, “Dhe unë rri me diellin”. “Si drejtoreshë e kulturës ndjej kënaqësi që jam në mesin e artistëve dhe krijuesve dhe, në të njëjtën kohë ndjehem krenare që kemi pasur rastin që së bashku t’i realizojmë sërë aktivitetesh letrare e kulturore brenda dhe jashtë qytetit tonë,duke mos përjashtuar edhe pritjen e shumë mysafirëve të kulturës dhe të artit nga të gjitha trojet shqiptare. Profesor Hajdinit, shtoi drejtoresha Lazri, dhe të gjithë krijuesve dhe të pranishmëve të tjerë, ju uroj një ditë të mbarë dhe uroj që nga Lidhja e Shkrimtarëve të Klinës të dalin në dritë edhe shumë krijues të tjerë me nam anekënd Kosovës dhe më gjerë”, konstatoi drejtoresha Lazri. Në vijim nënkryetari i Komunës, z. Enver Berisha, duke i përshëndetur të pranishmit theksoi se organizimet të tilla janë me vlera tepër të rëndësishme dhe me interes dimensional. “Profesori dhe poeti Hajdin Morina, pati sfidat e tij jetësore, megjithatë ai tejkaloi ato sfida dhe vazhdoi rrugën e tij të krijimtarisë letrare, duke na dhuruar edhe këtë libër me vlera të mirëfillta”, shtoi nënkryetari Berisha.
Në vijim shkrimtari dhe kritiku letrare, njëherësh edhe recensenti i librit, z. Sejdi Berisha, duke folur për vlerat e tij libri theksoi se për t’i zbërthyer si metafora shprehjet “dhe unë rri me diellin” dhe “fluturimi i Erës”,sikur të imponohet të shprushet një imagjinatë, një mendim filozofik, një rrëfim stine, kohe, historie, apo një pjesë e jetës së njeriut, mbase të vetë poetit. Dhe, një gjë e tillë, na bëhet se ka simbolikën e së mirës,shpresës, por edhe të frikës për gjithçka. Po ashtu, kjo i ngjan edhe trenit dhe binarëve,që e reflektojnë ëndrrën, mallin, dhembjen e dashurisë, por edhe diçka që mund të largohet e të tretet dhe dot kurrë nuk mund ta zësh. Ky fenomen i ngjan edhe pritjes,ankthit e makthit përnjëherë. Nëse është kështu, pohon në vazhdim Berisha, autori i librit “Dhe unë rri me diellin, Hajdin Morina, në këtë vepër ka kënduar e ka vargëzuar diçka të veçantë, e që ia ka thënë e regjistruar shpirti”, vlerësoi shkrimtari Berisha. Shkrimtari dhe kritiku letrar, z. Prend Buzhala, në kumtesën e tij u shpreh se Hajdin Morina, është njëri nga poetët tanë bashkëkohorë i cili nuk imponohet me paraqitje krijuese as në pikëpamje të temave dhe ideve dhe as në pikëpamje të shprehjeve poetike. Duke qenë spontan, i vetvetishëm dhe i paimponueshëm, ndërkaq ai ka arritur të jetë posaçërisht i çmuar nga të gjithë lexuesit dhe kritika letrare. Të tri vëllimet e tij poetike që ka botuar deri me tash – “Brenda dritareve të vogla”,1995, Prushi i fjalës 2011, Dhe unë rri me diellin 2014, dëshmojnë qartë për këtë spontanitet krijues,që sendërtohet në plan të pikëpamjeve dhe qëndrimeve ndaj poezisë, në plan të temave dhe motiveve; në plan të stileve të gjuhës dhe në plan të zgjidhjeve të veçanta konkrete brenda vargut dhe brenda poezisë si tërësi. Kjo mënyrë e krijimit ka bërë që ky poet të shquhet,në njërën anë për ngushtësi tematike –motivore, kurse në anën tjetër të sendërtojë disa poezi tepër të realizuar dhe të veçanta që i bëjnë mirë poetikës së vargut të shkurtër përgjithësisht”, pohoi ndër të tjera kritiku Buzhala.
Në vijim në emër të shtëpisë botuese “Rozafa” shkrimtari dhe editori i kësaj Shtëpie botuese,për kontributin dhe bashkëpunimin, shkrimtarit Prend Buzhala,i ndau një mirënjohje. Me këtë rast, krijuesi Hajdin Morina, në emër të Klubit të shkrimtarëve “Vorea Ujko”, për kontributin dhe angazhimin e tij gjatë viteve të ’90-ta dhe pasluftës, profesorit dhe veteranit të arsimit, z. Frrok Gojani, i ndau një mirënjohje. Po ashtu,piktori i talentuar, Luan Jakupi artistit dhe veprimtarit të shquar të kulturë, prof. Ismet Krasniqit, i dhuroi në pikturë portret.
Në fund me fjalët e tyre përshëndetëse u prezantuan shkrimtari nga Prishtina Ramadan Mehmeti, veterani i arsimit Frrok Gojani,po ashtu edhe profesori dhe autori i librit, prof. Hajdin Morina.
Poezitë e bukura të poetit Hajdin Morina, në mënyrë mjaft artistike i deklamuan Dea Behrami, nxënës e klasës së gjashtë të shkollës fillore”Ismet Rraci” në Klinë dhe Mahir Morina, student i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës.