Qëllimet e programit janë, përmirësimi i standardeve dhe cilësisë së jetës së njerëzve në zonën e programit nëpërmjet një zhvillimi ekonomik, social dhe mjedisor të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të rajonit në respekt të trashëgimisë së përbashkët kulturore dhe natyrore.
Sekretariati i Përbashkët Teknik i Programit IPA BNK Kosovë- Mali i Zi, sot në Klinë, ka prezantuar Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Kosovë – Mali i Zi, të cilin e financon Bashkimi Europian, përmes të cilit me projekte në tre fusha të caktuara mund të përfitojnë 6 komuna të Kosovës të Zonës Perëndimore, në mesin e tyre edhe Klina dhe 12 komuna të Malit të Zi. Strukturat operative të këtij programi janë Ministria e Punëve Europiane të Malit të Zi, Ministria e Financave të Malit të Zi- Drejtoria për Financim dhe Kontraktimin e Fondeve të BE-së (CFCU) dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Republikën e Kosovës (Trupa Kontrolluese e Kosovës).

Prioritetet tematike të këtij programi janë, inkurajimi i punësimit, mobilitetit të punës dhe përfshirjes sociale dhe kulturore në të dy anët e kufirit, mbrojtja e mjedisit, nxitja e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe reduktimi, parandalimi dhe menaxhimi i rrezikut, si dhe promovimi i turizmit dhe trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Në këtë program, mund të përfshihet edhe projekti për ujësjellës, trajtim të ujërave të zeza, mbeturinave e tjera.
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka thënë se prezantimi i këtij programi është një rast i mirë për të identifikuar fushat në të cilat Klina ka nevojë për mbështetje dhe të paraqiten për realizim. “ Klina ka projekte të rëndësishme dhe pas analizës do t’i paraqesim ato”, ka thënë Kryetari Elezaj, i cili falënderoi SPK-në për prezantimin e programit.
Sanja Todoroviq, drejtuese e Sekretariatit të Përbashkët Teknik, tha se sot jemi këtu për të prezantuar këtë program nga i cili përfitues mund të jetë edhe Klina dhe ne do ju ofrojmë mbështetjen e duhur.
Kushti i parë për të përfituar një projekt nga ky program është marrëveshja me një komunë të Malit të Zi, qoftë ajo edhe gojore.