Në kuadër të projektit “Monitorimi dhe llogaridhënia me ndjeshmëri gjinore”, që zbatohet nga Qendra Kosovare e Studimeve Gjinore si pjesë e projektit Instrumenti për Barazi Gjinore (Gender Equality Facility – GEF), i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i implementuar nga UN Women, u mbajt paneli i diskutimit me temën: “Promovimi dhe Zbatimi i Barazisë Gjinore” me zyrtarë komunalë të Komunës së Klinës.
Në këtë aktivitet morën pjesë nënkryetarja e Komunës së Klinës, znj. Marqe Tanushi Selmanaj, zyrtarja për Barazi Gjinore, znj. Vitore Shala, drejtori i Administratës, Binak Sylaj, drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Lorenc Marleku, si dhe përfaqësues të mediave.
Paneli shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe përvojave ndërmjet zyrtarëve komunalë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës, të cilët ndanë rekomandime për mënyrat më të mira të integrimit të perspektivës gjinore në të gjitha fazat e politikëbërjes publike.
Diskutimi vuri në pah nevojën për një qasje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse që nis nga faza e planifikimit strategjik dhe shtrihet deri te zbatimi dhe vlerësimi i politikave, me synim garantimin e një ndikimi të barabartë për gratë dhe burrat në çdo vendim, program apo investim publik.
Nënkryetarja Selmanaj theksoi se avancimi i barazisë gjinore duhet të jetë pjesë përbërëse e çdo procesi vendimmarrës brenda komunës. Ajo nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së grave dhe vajzave në të gjitha nivelet e zhvillimit dhe zbatimit të politikave, për të siguruar një qasje gjithëpërfshirëse dhe ndikim pozitiv për të gjitha grupet shoqërore.