NË SHFMU “EMIN DURAKU” TË SFERKËS, U SHËNUA 71-VJETORI I THEMELIMIT TË KËSAJ SHKOLLE
11/05/2018 11:49
Sot, SHFMU “Emin Duraku” në Sferkë shënoi 71-vjetorin e themelimit të saj. Në këtë eveniment të rëndësishëm, përpos nxënësve, mësimdhënësve, prindërve të kësaj shkolle dhe qytetarëve të tjerë të këtij lokaliteti, me prezencën e tij këtë kremte e madhështoi kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Prof. Arben Limani.
Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, para të pranishmëve në fjalën e tij theksoi se ndjehem i lumtur sot, në këtë ditë të madhe feste për nxënësit, mësimdhënësit dhe qytetarët e Sferkës dhe më gjerë, që jam bashkë me ju për të kujtuar dhe përjetuar bashkërisht një ngjarje me rëndësi historike për zhvillimin e arsimit në këto anë, 71 – vjetorin e hapjes e shkollës shqipe më 1947 në këtë fshat të bukur dhe tepër atraktiv të Sferkës sonë të dashur, Sferkës së rezistencës dhe dritës së dijes e të arsimit shqip. “Kjo ngjarje madhore dhe përvjetori i saj na bën të ndjehemi krenarë për rezistencën, sakrificat, por edhe të arriturat që ka pasur për këto mbi shtatë dekada. Puna dhe angazhimi i gjithëve në këtë shkollë, si në të kaluarën, po ashtu edhe tash, si moto të misionit ka pasur zgjimin e vetëdijes kombëtare, ndër të tjera edhe përhapjen e ideve iluministe të Rilindjes, sipas devizës Naimiane “Dhe drita e diturisë përpara do të na shpjerë”. Prej shumë kohësh, ka shtuar kryetari Elezaj, populli i Sferkës dhe i këtyre lokaliteteve përreth e ka bërë traditë që të përkujtojë këtë datë të shënuar në çdo përvjetor, duke e bërë atë pjesë të pandarë të ndërgjegjes historike, kulturore dhe arsimore. Këtë vit, që kjo ngjarje përkon me 71- vjetorin e hapjes së kësaj shkolle, na jep rastin që, nga lartësia mbi shtatëshekullore, të zgjatim vështrimin dekada më parë, në mugëtirën e messhekullit XX, kur nisi rrugëtimin shkolla e parë shqipe në Sferkë, përmes sakrificash e pengesash të shumta, u rrit dhe u zhvillua me mbështetjen e pakursyer të brezave të mësuesve të përkushtuar, nxënësve shembullorë të etur për dije dhe kulturë dhe të prindërve të devotshëm. Të shumtë janë protagonistët që meritojnë nderim të veçantë për atë që ditën dhe arritën të bëjnë; mes tyre nuk janë të paktë edhe një plejadë mësuesish të spikatur dhe pishtarësh të arsimit, që me kontributin e tyre u bënë përfaqësues të brezit denjë të mësuesve, të kohës së tyre, të cilët pjesën më të madhe të veprimtarisë së tyre arsimore ia kushtuan zhvillimit dhe konsolidimit të shkollës së Sferkës. Me njohuritë e gjera që fituan si në fushën e arsimit, ata e shndërruan shkollën e Sferkës në një qendër të shkëmbimit të përvojës pedagogjike për mësuesit e rinj që patën rastin të shërbejnë në këtë shkollë. Prandaj, mësuesit, komuniteti dhe ish-nxënësit e shkollës së Sferkës nuk kanë kursyer mirënjohjen e tyre për përkushtimin e këtyre mësuesve shembullorë, shumë prej të cilëve sot edhe nuk janë në jetë, mirëpo mbetën të përjetësuar në aureolën e arsimit shqip”, pohoi kryetari Elezaj, i cili më tej vazhdoi se q ëndrimi që kanë mbajtur arsimtarët, nxënësit dhe populli i Sferkës në vite dhe dekada ndaj shkollës dhe gjuhës shqipe, me betejat e fituara edhe atëherë kur okupatori bënte përpjekje ta zhbëjë arsimin dhe shkollën shqipe përgjithësisht, nuk lejuan zhbërjen e këtyre shkronjave të arta të shqipes sonë, po ashtu as zhdukjen e analfabetizmit, duke u angazhuar gjithmonë në rritjen e cilësisë në këtë shkollë, duke u shndërruar si një nga zonat më arsimdashëse. “Përvoja e jetës dhe e angazhimit të mësimdhënësve, të nxënësve dhe të prindërve të kësaj shkolle i ka kalitur se puna dhe dija janë binom i pandarë që sjell sukses. Shkolla mbetet tempulli më i lakmuar dhe më i frekuentuar, ku fëmijët prekin ëndrrat e tyre për të ardhmen. Për më tepër, këto ëndrra bëhen akoma më të bukura, kur zënë fill në një shkollë kaq të bukur, me plot rezultate, plot dritë e jetë, për nxënësit, mësimdhënësit dhe banorët e Sferkës në këtë 71-vjetor të rritës së kësaj shkolle. Përparimi për një të ardhme më të sigurt ka nevojë për idetë dhe energjitë tuaja. Këto energji që shkolla gjeneron do të jenë fokusi i gjithë punës sonë në arsimimin dhe edukimin e këtyre brezave që janë begatia më e çmuar jona, janë ardhmëria jonë, që vendi ynë pret shumë nga ta. Sot ne vetëm sa dëshirojmë të shprehim urimin e përzemërt për kremtimin e kësaj dite të shënuar, të bukur dhe shumë të gëzuar; sa të lumtur dhe të ngazëllyer në lartësimin, të arriturat dhe sukseset e kësaj shkolle, vatër drite, burim diturie dhe prosperiteti, aq edhe për përkujtimin e gjithë atyre që kanë rënë në rrugën e dijes dhe lirisë së Republikës së Kosovës. “Dëshmor i vërtetë është ai që vdes në rrugën e diturisë”, shprehet një nga rilindësit tanë. Ky ideal dhe ky përkushtim ishte frymëzues edhe i shumë mësuesve të kësaj gjatë këtij rrugëtimi të shkronjave të kësaj shkolle. Suksese dhe mbarësi në rrugën tuaj të dijes! Gëzuar ndër vite dhe dekada kjo Ditë e bukur e shkollës!”, ishin fjalët e kryetarit të Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, para të pranishmëve me rastin e këtij shënimi të rëndësishëm për këtë lokalitet, Komunën e Klinës dhe më gjerë.