Në sallën e Kuvendit të Komunës së Klinës, është mbajtur seanca e katërt e këtij viti me ç’rast u shqyrtuan sërë çështjesh të rëndësishme. Seancën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, z. Fadil Gashi, ku morën pjesë përpos anëtarëve të KK, drejtorëve të drejtorive komunale, edhe kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj dhe nënkryetari Besim Hoti.
Fillimisht, nga ana e anëtarëve u prezantuan disa pyetje që kishin të bëjnë kryesisht rreth infrastrukturës dhe çështjeve të tjera me rëndësi, përgjigjet u morën nga drejtorë të ekzekutivit. Në këtë seancë në fokus të çështjeve të shqyrtuara ishin, shqyrtimi i Planit të Punës së Ekzekutivit për vitin 2018, ku me një raport të detajuar u prezantua kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj. Me këtë rast kryetari Elezaj shoi se Mbi bazën e e Strategjisë së zhvillimit ekonomik lokal të komunës së Klinës për periudhën 2017-2021 në këtë Plan pune të Ekzekutivit të komunës së Klinës për vitin 2018 kemi prezantuar aktivitetet kryesore që do të ndërmarrin Drejtoritë e Administratës komunale gjatë vitit 2018 në funksion të realizimit të katër synimeve kryesore zhvillimore te përcaktuar me dokumentin e Strategjisë: 1. Zhvillimi ekonomik; 2. Zhvillimi i infrastrukturës së nevojshme në funksion te qytetarëve dhe bizneseve; 3. Përmirësimi i cilësisë se arsimit dhe shëndetësisë dhe 4. Përparimi dhe mbrojtja e mjedisit jetësor. Ky Plan i punës përcakton aktivitetet që do të ndërmerren këtë vit dhe kahet e aktivitetit për vitet në vijim për të bërë realitet vizionin që Klina gradualisht të bëhet një komunë ekonomikisht e zhvilluar ,me një administratë komunale efikase në shërbim të qytetarëve te vet dhe bizneseve me një mjedis të pastër dhe atraktiv për të jetuar dhe punuar duke treguar progres të vazhdueshëm dhe përmirësim të cilësisë në arsim,shëndetësi dhe shërbime publike. Edhe këtë vit ndër prioritetet kryesore do të jetë përmirësimi i infrastrukturës fizike në mënyrë që në vitet në vijim të krijohen parakushtet për të kaluar hap pas hapi në fazën e zhvillimit të mirëfilltë ekonomik duke u përqendruar në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe te mesme posaqërisht në lëmin e prodhimit,bujqësisë,turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Paralelisht do të punohet në ngritjen e kapaciteteve qeverisëse duke përmirësuar zbatimin e ligjeve, krijimin e klimës së partneritetit me biznesin, krijimi i mundësive për aktivitete rinore dhe hapësira për grupet e margjinalizuara, shoqërinë civile dhe qytetarët, që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e qeverisjes lokale. Mbi bazën e orientimeve strategjike zhvillimore, Komuna e Klinës do të bëj përpjekje që përmes zhvillimit ekonomik lokal të përmirësoj dhe ngre kualitetin e jetës së qytetarëve duke krijuar mundësi të reja për ngritjen e mirëqenies ekonomike dhe shoqërore të qytetarëve të saj,rritjen e punësimit dhe uljen e shkallës se varfërisë. Si qeverisje komunale mbi bazën e një koalicioni të gjërë do të angazhohemi për ofrim të shërbimeve cilësore për publikun nëpërmjet përmirësimit dhe avancimit të shërbimeve që janë në kuadër te kompetencave te komunës. Për të arritur këto qëllime, fokus i veçantë do t’i kushtohet përmirësimit dhe zhvillimit të infrastrukturës lokale, zhvillimit te bizneseve lokale , zhvillimit te sektorit te bujqësisë, investimeve të reja qoftë nga vendi, e po ashtu edhe nga jashtë. Gjatë punës dhe ushtrimit të funksioneve,ekzekutivi përkatësisht qeverisja komunale aktivitetet për realizimin e synimeve kryesore do t’i ndërlidhë me dokumentet strategjike të nxjerra nga Kuvendi komunal si dhe orientimet strategjike në nivel vendi përkatësisht Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2018-2020 dhe Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit përkatësisht raporteve kontraktuale te partneritetit te Kosovës me Bashkimin Evropian”, ka konstatuar ndër të tjera kryetari Elezaj. Ndërkaq, rreth raportit të menaxhimit financiar për periudhën janar – mars 2018, ka raportuar drejtori i Drejtorisë për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim, z. Aziz Desku, i cili ju ka sqaruar anëtarëve raportin financiar për këtë periudhë dhe ka pasqyruar krahasimet me raportin e njëjtë të vitit 2017.
Në vazhdim të seancë u bë rishqyrtimi i vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Komitetit për Komunitete sipas kërkesës së MAPL, me ç’rast njëherësh u bë edhe plotësimi i këtij komiteti në përbërje gjinore nga komuniteti serb dhe egjiptian. . Në këtës eancë u mor vendim që të zgjatet edhe afati i konkursit për 7 ditë për komitetet konsultative, pasi që në konkursin e shpallur nuk janë plotësuar kriteret, prandaj është e nevojshme plotësimi i numrit të caktuar të kandidatëve.