Janë asfaltuar shumë rrugë të qytetit dhe të lokaliteteve
Në komunën e Klinës infrastruktura rrugore shënon ecuri të konsideruara
Janë asfaltuar shumë rrugë të qytetit dhe të lokaliteteve
Komuna e Klinës, edhe në të kaluarën e gjatë qeverisjes , po ashtu edhe tash është shumë e përkushtuar që të investojë në infrastrukturën rrugore. Këtë fakt e dëshmojnë edhe angazhimi dhe punët që këto ditë janë duke u kryer në asfaltimin e disa rrugëve të qytetit të Klinës.
Brenda një periudhe të caktuar, përkatësisht që nga muaj janar – shtator, janë asfaltuar shumë rrugë të qytetit dhe të lokaliteteve të tjera të kësaj komune. Është bërë asfaltimi i dy rrugëve lokale në fshatin Krushevë e Vogël, shuma e investimeve të këtyre rrugëve arrin shifrën prej 97.000 euro, asfaltimi i rrugës në Resnik -107.000.00 euro, asfaltimi i rrugëve në qytet-faza e dytë-88.880.00 euro, asfaltimi i rrugës në Rudicë-33.000 euro, asfaltimi i rrugës Caravik-Murgë-305.500.00 euro, sanimi i rrugës Ranoc-Leskoc 10.000 euro etj.
Disa prej projekteve që janë realizuar gjatë kësaj periudhe dhe që kanë rëndësinë më të veçantë, janë asfaltimi u disa rrugëve të qytetit të Klinës, që tashmë qyteti i Klinës nuk ka rrugë të paasfaltuar, po ashtu me këtë rast vlen për të potencuar edhe përgjithësisht rregullimi i rrugëve në lagjen më të madhe të qytetit të Klinës, të quajtur “Perlina”, rrugët e secilës janë asfaltuar tërësisht. Me asfaltimin e këtyre rrugëve dhe shumë investime të tjera që po realizon Qeveria komunale e Klinës, po i bën realitet zotimet e dhëna qysh nga fillimi i këtij viti, gjegjësisht nga miratimi i projekteve prioritare për këtë vit nga KK.
Me këto projekte dhe shumë të tjera që janë në proces të zhvillimit, si vazhdimësi e angazhimeve të qeverisjes komunale, Komuna e Klinës çdo ditë e më shumë po arrin të ngrit cilësinë e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve të saj.