Sot, në vendlindjen e komandant “Kapuçit”, Mujë Krasniqit, në ditëlindjen e tij të pesëdhjeteshtatë, nën patronatin e kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, u hap edicioni i 22-të i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë” kushtuar komandant “Kapuçit”.
“Ky kujtim për veprat heroike të Mujë Krasniqit është një borxh i yni drejtë vlerave që ai na ka lënë, gjeneratave që janë dhe atyre që do të vijnë, pasi atdheu asnjëherë nuk i harron dëshmorët e tij, që janë themel i lirisë, paqes e vet Republikës së Kosovës.
Festën që e nisëm sot këtu do ta vijojmë për tri ditë me radhë në Klinë, me këngë, me çifteli, me sharki dhe me tupanë në duar, me plisa të bardhë në kokë e me kujtime dhe nderime të përhershme për luftën e UÇK-së dhe për të gjitha ato shtete mike që e ndalën gjenocidin serb në Kosovë dhe na mbështetin edhe sot.
Do t’u përkulemi të rënëve e do t’u gjendemi pranë familjarëve të tyre jo për t’u dhënë forcë, se kanë mjaftueshëm, por për të marrë forcë prej tyre dhe mësime se si, në kohë lufte, duhet t’i dilet zot vendit.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për heronjtë e UÇK-së!
Lavdi të gjithë të rënëve për çlirimin e Kosovës!” – ka thënë kryetari Elezaj.




