Në ambientet e shkollës së mesme të ulët “Atë Shtjefën Gjeçovi” në Zllakuqan është mbajtur edhe dëgjimi i nëntë publik në kuadër të hartimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore për periudhën 2026–2028, me banorët e fshatrave Zllakuqan, Berkovë, Ranoc, Leskoc, Nagllavë, Dranashiq, Stupë, Rudicë, Jagodë, Videjë, Krushevë e Madhe dhe Budisalc, të cilët patën mundësinë të paraqesin propozimet dhe shqetësimet e tyre lidhur me projektet dhe nevojat e zonave që përfaqësojnë.
Në takim morën pjesë kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, nënkryetarja Marqe Tanushi-Selamanj, drejtori për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi, Nikson Daka, si dhe drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Lorenc Marleku.
Kryetari Elezaj bëri një prezantim të Kornizës Afatmesme Buxhetore, projekteve me prioritet për tre vitet e ardhshme, si dhe për projektet që janë në fazën fillestare të realizimit, apo ato që pritet të përfundojnë deri në fund të këtij viti.
Ai theksoi edhe rëndësinë e këtyre takimeve si një mundësi e mirë për të dëgjuar drejtpërdrejt nga qytetarët dhe për të reflektuar nevojat e tyre në planifikimin buxhetor komunal.
Prioritet i banorëve pjesëmarrësi ishte funksionalizimi i kanaleve të ujitjes dhe ndërtimi i degëzimeve të reja të tyre.
Dëgjimi buxhetor i fundit, me synim përfshirjen e gjerë të qytetarëve në vendimmarrje dhe transparencën në menaxhimin e fondeve publike, do të mbahet nesër, më 12 qershor, në sallën e Kuvendit Komunal të Klinës, prej orës 10:00.
Për të gjithë të interesuarit e tjerë që nuk patën mundësi të jenë pjesë e këtyre takimeve, komentet apo kërkesat mund t’i përcjellin edhe në mënyrë të shkruar përmes postës elektronike deri më 24 qershor, në adresat:
Vlora Tafili – email: vlora.tafili@rks-gov.net
Melihate Behramaj – email: melihate.behramaj@rks-gov.net