Në natën e dytë konkurruese të Festivalit Folklorik “I Këndojmë Lirisë” u prezantuan vlera të mirëfillta folklorike nga Kosova, Shqipëria e Diaspora. Në skenë u prezantuan artistë me një kolorit të veshjeve të ndryshme artistike nga mbarë trevat shqiptare.
Festivali nisi me përformimin e artistëve nga Puka, të cilët u paraqiten me një këngë për Komandantin legjendar Adem Jasharin. Festivali ka vazhduar me paraqitjen e grupit “Studio Fenix” nga Diaspora, përkatësisht nga Zvicra të cilët për u paraqitën me një valle me motive lufte “I mbijetuari shqiptar ndër shekuj” , për të cilën u duartrokiten nga masa e gjerë.
Paraqitja e radhës ishte nga grupi polifonik “Qypërlinjtë” nga Berati me një këngë për komandant Mujë Krasniqin Ata shfaqen edhe disa interpretime, me klarinetë me motive labe.
SHKA nga Obiliqi, u paraqit në skenë me dy këngë të kënduara nga këngëtari Vesad Mjeku, kurse rapsodët nga Krojmiri i Shalës u paraqitën me një këngë për dëshmorët e këtij fshati.
Në natën e dytë u prezantuan edhe rapsodët nga Deçani, si dhe SHKA “Isa Boletini” nga Rogova e Hasit.
Skena më pas i ka takuar ansamblit “Drenica “ nga Skenderaj, të cilët u prezantuan me tri këngë dhe një valle të quajtur “Okarina”, që ishte premierë në këtë festival.
Në natën e dytë përformuan edhe AKV “Hareja “ nga Prizreni, të cilët u shfaqën në skenë me një valle burimore tradicionale nga veteranët e këtij grupi, pastaj këngëtarja Hanë Hoxha u paraqit me këngën “Heroi im”.
Nata e dytë garuese përfundoj më prezantimin e rapsodi nga Klina Emin Raci, që jeton në Zvicër.
Ndonëse në natën e dytë të festivalit, në të njëjtin termi në televizion transmetohej ndeshja Shqipëri-Serbi, interesimi për ta përcjellë festivalin ishte i madh. Nata e dytë e festivalit u përcoll edhe nga personalitete të jetës politike, shoqërore e politike lokale e qendrore. Fatjona Gashi ishte mbresëlënëse në moderimin e festivalit.