Mbrëmjen e kaluar, në palestrën sportive “Adem Jashari” në Klinë, u përmbyll me sukses turneu tradicional i futbollit të vogël, i organizuar në nderim të heroit Mujë Krasniqi dhe dëshmorëve të komunës së Klinës.
Atmosfera ishte e zjarrtë dhe e mbushur me emocion, me praninë e shumë tifozëve dhe sportdashësve që përkrahën me entuziazëm ekipet pjesëmarrëse. Ndeshja finale, një spektakël i vërtetë sportiv, u zhvillua mes ekipeve Jetoni Com dhe Osman Morina, të cilat dhuruan një lojë të fortë dhe me rivalitet të ndershëm.
Fitues i këtij turneu u shpall ekipi Jetoni Com, i cili dominoi finalen dhe siguroi vendin e parë me rezultat bindës, duke dëshmuar nivel të lartë profesional.
Në këtë ngjarje sportive mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtues të drejtorive komunale dhe përfaqësues të institucioneve të tjera lokale.
Kryetari Elezaj ndau personalisht çmimet për ekipet më të dalluara dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin në ruajtjen e kujtesës historike përmes sportit. Ai theksoi se Komuna do të vazhdojë gjithmonë të jetë përkrahëse e aktiviteteve sportive që nderojnë kujtimin e dëshmorëve të rënë dhe promovojnë vlerat e lirisë dhe të bashkimit.
Vendi i parë u shpërblye me 3.000 euro, vendi i dytë me 1.000 euro, golashënuesi më i mirë me 100 euro, çmim që i takoi Adnan Berishës, dhe po ashtu portieri më i mirë me 100 euro, që i takoi Gentrit Hasit.
Organizatorët Rexhë Buqani, Rexhep Gashi, Sali Berisha dhe Arton Berisha u shprehën të kënaqur me mbarëvajtjen e turneut dhe gjithashtu me nivelin e pjesëmarrjes në këtë turne. Ata falënderuan të gjitha bizneset që, përmes mbështetjës së tyre, e bënë të mundur organizimin e këtij turneu.
Gjithashtu, turneu u vlerësua si një aktivitet i rëndësishëm që, përveç promovimit të sportit dhe garës së shëndetshme, forcon ndjenjën e respektit dhe mirënjohjes ndaj atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.