Komuna e Klinës ka mbajtur dëgjimin e tretë buxhetor për Draft-Buxhetin e vitit 2025 në fshatin Volljakë, me banorët e fshatrave Volljakë dhe Sferkë, i cili është mbajtur në ambientet e shkollës së mesme të ulët “Dëshmorët”, me fillim nga ora 17:00, ku morën pjesë 18 persona.
Të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Enver Berisha, drejtori i Inspektoratit, Faruk Smajli, anëtarë të grupit punues si dhe banorë të zonave të lartcekura.
Prezantimi i buxhetit është bërë në tabelat e mençura, po ashtu, pjesëmarrësve iu është siguruar materiali edhe në kopje fizike së bashku me agjendën. Gjithashtu, është bërë edhe një përmbledhje për ecurinë e dëgjimeve buxhetore të vitit të kaluar lidhur me projektet e reja dhe ndryshime buxhetore.
Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, në fjalën e tij së pari falënderoi për pjesëmarrjen e tyre në këtë dëgjim buxhetor të rëndësishëm.
“Ky buxhet nuk është vetëm një dokument financiar; është një plan që përshkruan prioritetet dhe qëllimet tona për vitin që vjen. Kemi bërë përpjekje të mëdha për të siguruar që ky buxhet të reflektojë nevojat dhe prioritetet e të gjithë qytetarëve tanë. Për këtë arsye, dëshirojmë të dëgjojmë mendimet tuaja, shqetësimet dhe sugjerimet tuaja. Ne e dimë që bashkëpunimi i hapur dhe i sinqertë me ju është çelësi për të marrë vendimet e duhura për komunitetin tonë.”
Drejtori i Urbanizmit, Enver Berisha, paraqiti të dhëna buxhetore të cilat janë projektuar të realizohen në këto dy fshatra, ai citoi projektin “Ndërtimi i rrugëve dhe infrastrukturës nëntokësore Volljakë-Sferkë-Qupevë”, në total 180,000.00 € të planifikuara.
Në këtë takim, banorët pjesëmarrës rekomanduan ndërtimin e urës, asfaltimin e disa rrugicave në fshat e në mundësi financiare të merret parasysh edhe ndërtimi i kanalit të ujitjes.

