Në sallën e Kuvendit Komunal të Klinës është mbajtur një dëgjim publik me qytetarët, lidhur me projektin e zgjerimit dhe ndërtimit të rrugës “Malë Bashota” në Klinë, përkatësisht shpronësimin e saj.
Në këtë dëgjim morën pjesë nënkryetarja e komunës, znj. Marqe Tanushi-Selmanaj, drejtori për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi, z. Nikson Daka, drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, z. Enver Berisha, drejtorë të tjerë të drejtorive, përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe qytetarë.
Drejtori Daka, i cili udhëhoqi takimin, fillimisht përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi. Ai gjithashtu shtoi:
Rruga “Malë Bashota” shtrihet nga Përlina deri në Dresnik. Arsyeja e shpronësimit të kësaj rruge është ndërtimi dhe asfaltimi i saj në një gjatësi prej 1.5 km. Ky projekt përfshin gjithashtu ndërtimin e trotuarit dhe ndriçimit publik, si dhe realizimin e një hapësire rekreative për qytetarët e kësaj zone.
Përgjatë rrugës ndodhen 61 parcela që preken nga procesi i shpronësimit, i cili, bazuar në Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, i jep të drejtë organit shpronësues, Komunës së Klinës, të fillojë me procedurat përkatëse.
Andaj, ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe për kontributin tuaj përmes pyetjeve, komenteve, kërkesave dhe ideve rreth kësaj procedure,”- tha drejtori Daka.
Në fund, pjesëmarrësit dhanë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre lidhur me projektin.