Në nderim të të rënëve për liri, aktivitetet për shënimin e Ditës së Çlirimit vazhduan me homazhe dhe vendosjen e kurorave me lule pranë bustit të veprimtarit dhe ish-kryetarit të Komunës, Ismet Rraci; bustit të dëshmorit Arben Haliti; pranë shtatores së komandantit Mujë Krasniqi; te lapidari i martirëve dhe të pagjeturve të luftës; shtatores së heroit Faruk Elezaj, si dhe në kompleksin memorial “Kodra e Kuqe” në Grabanicë, pranë varrezave të dëshmorëve të kombit.
Të pranishëm në këto aktivitete përkujtimore ishin kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, kryesuesi i Kuvendit, z. Fadil Gashi, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, mixha Halil Krasniqi – babai i heroit Mujë Krasniqi, përfaqësues të Policisë, familjarë dhe të afërm të të rënëve.
“I kujtojmë sot emrat e atyre që dhanë gjithçka për një të nesërme më të mirë. Busti i veprimtarit dhe ish-kryetarit të Komunës, Ismet Rraci; busti i dëshmorit Arben Haliti; shtatorja e komandantit Mujë Krasniqi; lapidari i martirëve dhe i të pagjeturve; shtatorja e heroit Faruk Elezaj; si dhe kompleksi memorial ‘Kodra e Kuqe’ në Grabanicë – janë dëshmi të sakrificës së përjetshme për liri, drejtësi dhe dinjitet njerëzor. Ata janë shtylla e historisë sonë më të lavdishme dhe simboli më i pastër i dashurisë për atdheun.
Në këtë përvjetor të çlirimit të Klinës, i përulem me nderim secilit emër të rënë, secilit prind, fëmijë dhe familjari që humbi më të dashurit në emër të lirisë. Ju jeni arsyeja pse ne sot kemi mundësi të ndërtojmë të ardhmen tonë si popull i lirë, demokratik dhe sovran.
Lavdi të përjetshme dëshmorëve të kombit!
Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe nderimi për ta!
Urime Dita e Çlirimit!” – ka thënë Elezaj.