Klinë, 8 janar
Dje, në fshatin Videjë të Komunës së Klinës, me rastin e Krishtlindjeve ortodokse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, i kanë bërë vizitë z. Milorad Sharkoviqit dhe familjes së tij. Kryeparlamentari Veseli dhe kryetari Bashota, në këtë familje janë pritur me ngrohtësi. Kryetari i Komunës së Klinës,z. Sokol Bashota, duke uruar festën e Krishtlindjeve ortodokse, ka ftuar gjithë komunitetin serb që të kthehen në Komunën e Klinës, sepse në Kosovë ka jetë të lirë dhe mundësi për integrim.
“Ne gjithsesi me z. Sharkoviq, jemi bashkëpunëtorë, pasi është edhe zyrtar i lartë në Administratën komunale të Klinës dhe është një ndër personat e parë i cloi bashkë me familjen është rikthyer në Komunën e Klinës dhe është integruar shumë mirë në institucionet e Kosovës. “Po ashtu, ka pohuar kryetari Bashota, Sharkoviq është një ndër autorët kryesorë që punon së bashku me mua për të krijuar mundësitë për kthimin e gjithë personave të komunitetit serb në komunën e Klinës dhe deri me tani kemi arritur që në Komunën e Klinës të kthehen rreth 1500 qytetarët të komunitetit serb, të cilët janë integruar në jetën shoqërore dhe institucione të Kosovës. Tanimë ku trend i kthimit të komunitetit serb do të vazhdojë, për arsye se mesazhi i qytetarëve të kthyer të komunitetit serb është se këtu ka jetë të rehatshme, ka mundësi integrim”, theksoi Kryetari Bashota.
Ndërsa, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli duke uruar familjen Sharkoviq me rastin e Krishtlindjeve ortodokse, ai ka uruar edhe gjithë besimtarët të tjerë të komunitetit ortodoksë, me urimin për dëshira që të kenë paqe, harmoni, suksese të përbashkëta dhe mirëqenie më të mirë.
“Kjo është një ditë e veçantë, është një ditë e veçantë për gjithë njerëzit që kanë besim në vlerat humane, në të njëjtën kohë edhe te vlerat në Zot. Është ditë e veçantë për arsye se është dita e Krishtlindjeve ortodokse dhe gjithë besimtarëve ortodoks përmes këtij urimi në familjen e z. Sharkoviq t’ju uroj paqe, harmoni, suksese të përbashkëta, mirëqenie më të mirë”, tha kryekuvendari Veseli.
Nderkaq, Milorad Sharkoviq, i cili është shef i Zyrës për kthim dhe komunitete në Komunën e Klinës, ishte tejet i nderuar me vizitën e Veselit e Bashotës, duke thënë se kjo nuk ishte vizitë dhe një nderim që i bëhet vetëm familje së tij, por për gjithë komunitetin serb.