Në takimin e Kuvendit të Asociacionit të Agjencive për Zhvillim Rajonal (ARDA- Association of Regional Development Agencies) të mbajtur me 18 janar 2016, Kryetari i Komunës së Klinës, Z. Sokol Bashota, është emëruar Kryesues i Kuvendit të ARDA-së për periudhën vijuese një vjeçare.
Kryetari Bashota, është anëtari i këtij Kuvendi që nga qershori i vitit 2015, në cilësinë e Kryesuesit të Bordit Drejtues të Agjencisë për Zhvillim Rajonal (AZHR) – Perëndim, e cila mbulon territorin perëndimor të Kosovës, përkatësisht komunat e Pejës, Gjakovës, Klinës, Deçanit, Istogut dhe Junikut. Nën udhëheqjen strategjike të këtij Bordi Drejtues, AZHR-Perëndim është përgjegjëse për identifikim e fushave me prioritet për zhvillimin ekonomik të rajonit, si dhe hartimin dhe zbatimin e projekteve strategjike të cilat realizohen në rajon me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe donatorëve tjerë, duke përfshirë edhe ato që rrjedhin përmes qeverisë së Kosovës. Në anën tjetër roli i ARDA-së, është që të ngritë nivelin e bashkëpunimit me qeverinë dhe organizatat e ndryshme që veprojnë në nivel qendror, në mënyrë që kërkesat prioritare për zhvillim të rajoneve të integrohen në planifikimin strategjik të qeverisë dhe organizatave të huaja që mbështesin zhvillimin e Kosovës.
Kryetari Bashota ka mirëpritur këtë sfidë të radhës, duke e shprehur vullnetin e tij për të ndihmuar procesin e zhvillimit rajonal në Kosovë përmes angazhimit të tij të vazhdueshëm gjatë kësaj periudhe, me qëllim të avancimit të ARDA-së, AZHR-ve dhe procesin e zhvillimit rajonal në tërë Kosovën.