Kryetari i Klinës, Sokol Bashota, takohet me KFOR-in dhe përfaqësues të Ambasadës së Britanisë së Madhe
Klinë, 26 Shtator
Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, është takuar me Szabo Matyas, përgjegjës i KFOR-it në Kosovë për projekte, Meliza Islamin, përfaqësues e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë dhe zyrtarin e IOM-it, Agron Ajazin, me të cilët ka biseduar për projektin e asfaltimit të rrugës së Manastirit të Budisalcit, që lidh edhe disa shtëpi të këtij fshati. Ushtaraku i KFOR-it, hungarezi Matyas, ka treguar se kanë gjetur mbështetjen financiare të Ambasada e Britanisë së Madhe për asfaltimin e kësaj rruge në të cilin janë të involvuar edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe IOM-i. “Jemi këtu të bisedojmë për rregullimin e rrugës 400 metra në Budisalc, kemi gjetur mbështetjen e Ambasadës Britanike dhe po presim vetëm edhe pëlqimin e juaj”, ka thënë Matyas. Ndërsa, Meliza Islami, ka pohuar se bashkërisht kemi bërë një projekt me IOM-in dhe na duhet edhe aprovimi i Komunës. Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka falënderuar KFOR-in, Ambasadën e Britanisë së Madhe dhe IOM-in për mbështetje dhe ka thënë se çdo investim është i mirëseardhur. “ Ne si Komunë kemi planifikuar rregullimin e kësaj rruge, por deri tash ka munguar mbështetja e Ministrisë së Kthimit dhe Komuniteteve”, ka thënë Bashota. Rreth këtij projekti do të përgatitet një memorandum mirëkuptimi për ndarjen e detyrave që pritet të nënshkruhet gjatë këtyre ditëve. Forcat e Sigurisë së Kosovës do të bëjnë pastrimin dhe hapjen e kanaleve të rrugës dhe pastaj pritet edhe asfaltimi i kësaj rruge.