Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë për Administratë, z. Binak Syla, mori pjesë në përurimin e shtëpisë së familjes skamnore të z. Ismet Bajçinovci nga fshati Klinafc të kësaj komune.
Kjo shtëpi e re që sot iu dhurua kësaj familje, e cila deri me ditën e sotme jetonte në kushte të vështira dhe pa strehim, është vepër e Fondacionit Humanitar “Golden Eagle”, me pronar, z. Shaqir Palushi.
Vlera e investimit të ndërtimit të kësaj shtëpie të re arrin shifrën 21 mijë euro.
Kryetari Elezaj falënderoi humanistin Palushi për këtë vepër humane të dëshmuar nga ana e tij, duke vlerësuar lart ndjenjën humaniste dhe të solidaritetin e treguar me këtë rast.
Kryetari Elezaj, po ashtu kërkoj nga humanisti Palushi, por edhe nga veprimtarë dhe humanistë të tjerë brenda dhe në diasporë, që të ndihmojnë edhe raste të tjera të kësaj kategorie të rëndë sociale, e cila ka nevojë për ndihmë dhe strehim.
Kryetari Elezaj uroj familjen Bajçinovci që ta gëzojnë këtë shtëpi të re, po ashtu menaxherit të këtij fondacioni i uroj suksese dhe mbarësi në angazhimet e tij dhe gjithë aspektet e jetës.
Veprimtari dhe humanisti Shaqir Palushi uroj familjen Bajçinovci për pranimin e çelësave të kësaj shtëpie të re, po ashtu premtoi se edhe në të ardhmen do të jetë i gatshëm të ndihmojë edhe familje të tjera.
