Tashmë kanë arritur konfirmimet për pjesëmarrje në edicionin e sivjetmë të Festivalit gjithëkombëtar Folklorik “I Këndojmë Lirisë” të ansambleve, grupeve e rapsodëve folklorik nga të gjitha trojet shqiptare që mbahet në Klinë më 6,7 dhe 8 qershor. Ky konstatim doli nga mbledhja e fundit Këshillit Organizativ të Festivalit , në të cilin u paraqit rrjedha e deritashme e përgatitjes së mbajtjes së festivalit. Kryetari Komunës së Klinës, Prof.Dr. Zenun Elezaj, duke vlerësuar përgatitjet që bëhen për organizimin dhe mbajtjen e festivalit në nivel sa më të lartë, siç e meriton ky eveniment folklorik gjithëkombëtar, theksoi se Komuna e mbështet këtë festival me të gjitha format, çoftë organizative e financiare, ndërsa kompetencat që i ka Këshilli organizativ të jen në funksion të rrjedhës dhe mbajtjes së festivalit.
Drejtori Fetsivalit, Dibran Fylli, theksoi se në saje të detyrave të caktuara dhe bartësve të festivalit ky manifestim gjithëkombëtar folklorik do të organizohet në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse ky festival tashmë ka marrë rrjedhën e duhur. “ Për tri netë i këndohet dhe i vallëzohet lirisë, Komandant Mujës e dëshmorëve të kombit, ndaj edhe duhet të dominoj cilësia. Ndahen edhe 15 çmime e shpërblime të festivalit”, u shpreh Fylli. Skënder Merturi, drejtor Komunal i Kulturës dhe Sportit, njoftoi për përgatitjet që po bëhen për hapjen e festivalit i cili do të bëhet në Çabiq, vendlindjen e Komandatn Mujë Krasniqit-Kapuçit, ku kontributin më të madh do ta japin banorët e fshatit. Ramadan Selimi, tregoi për aktivitetet të tjera që do të mbahen, si turniri në futboll dhe disiplina të tjera sportive në Klinë e Çabiq.
Ndërkaq, Daut Gashi, nga Drejtoria Artistike, njoftoi për punën e deritashme që ka bërë kjo drejtori në përzgjedhjen e grupeve, ansambleve, instrumentistëve e rapsodëve që do të paraqitën në skenën e festivalit. “Deri tash pjesëmarrjen e kanë konfirmuar 15 grupe artistike dhe 5 grupe rapsodësh. Drejtoria edhe më tej do të bëj ftesa dhe seleksionime, ku tashmë pjesa më e madhe është kryer. Festivalin n[ Çabiq do ta hap Ansambli “Shotë Galica” nga Skënderja, fitues i vitit të kaluar të çmimit Mujë Krasniqi”, ka thënë Gashi.
Zëdhënësi i Festivalit
Enver Maloku